Luçiano Moxhi e sheh Barcelonën pa trajner: S’ka përmbysje!

Dikur ishte ai në qendër të projektit juventin, ndërsa tani duhet ta ndjekë që larg “lodrën” e tij të dikurshme. Luçiano Moxhit, gjithsesi nuk ia ha njeri hakun, as “nuk ia ha qeni shkopin”, ndaj edhe shpesh ka përpara mikrofonët dhe diktofonët e gazetarëve. Kështu edhe në prag të ndeshjes së kthimit, Barcelona-Juventus, ku Moxhi është tërësisht në favor të italianëve. Edhe vetë një italian, ai thotë se nuk do të ketë përmbysje pas triumfit 3-0 të bardhezinjve në Torino.

“E prisja një ndeshje pozitive të Juventusit, – u shpreh ish-drejtuesi, – dhe nuk mendoj se do të ketë përmbysje. Mesi nuk po kalon momentin më të mirë, dhe Barça është pa trajner. Nëse trajneri thotë se “në fund të vitit do të largohem”, atëherë zëre se nuk është, ndaj “blaugranët” janë të pamotivuar, pa ide dhe forcë. Shihet qartë në fushë”. Moxhi thotë se ajo që ndodhi ndaj PSG-së nuk ndodh më pasi “mbrojtja e Juves është diçka tjetër”.

Lavdërimet më të mëdha janë për Dibalën (besohet edhe për Alegrin që ka ndërtuar skuadrën). “Pa dyshim, Dibala është një favorit për Topin e Artë në të ardhmen, – thotë Moxhi, – ka këmbët dhe kokën e një kampioni. Nuk mendoj se do të shkojë tek Reali apo tek Bacrelona, ai është në qendër të projektit juventin”.

Sfidanti.al