E vërteta është që biznesi ofron sot shërbime që shoqëria nuk mund t’i marrë ndryshe, dhe për këtë gjë “i hiqet kapelja” dhe i jepet “qytetaria” për të lulëzuar në qytetet dhe fshatrat tona. Gjithsesi, kur biznesi dhe parimi i tij për të maksimalizuar fitimet shkel mbi parimet e mbrojtjes së shëndetit, atëherë ka përplasje.
Një e tillë ishte ajo e Kristiano Ronaldos me kompaninë globale Koka Kola, pasi superylli portugez largoi nga tryeza e konferencës së shtypit dy shishe me pijen e famshme amerikane, duke lënë vetëm shishen e ujit, e duke thirrur para gazetarëve (por, sidomos para publikut): Pini ujë! Koka Kola reagoi duke thënë se secili mund të bëjë zgjedhjen e tij, dhe se lojtarëve u ishte dhënë zgjedhja për ujë ose pijen e saj, ndërsa kompania gjigande është një nga sponsorët e Europianit.
Një shkelje kontrate vërtet, por në emër të reklamës për mënyrën e shëndetshme të të ushqyerit për të pasur shëndet sa më të mirë dhe jetë sa më të mbarë e të gjatë.