Revolucion tek Dinamo? Ishalla është .. si ai Partizanit dhe Tiranës!

Ju kujtohet titulli : “ Dinamo, mos vdis, po vijnë ëngjëjt italianë të të ringjallin”! Pak ditë më parë, me rastin e zbarkimit të stafit italian në krye të klubit Dinamo,  ky ishte titulli i një shkrimi tek Sfidanti.al. Dhe Dinamo është “ngjallur” , ka dalë nga agonia, ka  hapur sytë dhe  ka folur jo shqip, por italisht. Për tifozët që e dinin të “vdekur”, mjafton që të flasë , bile ia falin edhe kur premtohet se po fillon ..revolucioni! Vetëm ne e dimë mirë se kujt i thonë “revolucion” në anët tona, për këtë nuk duam ndihmë nga Italia, sepse kemi përjetuar  në mjaft raste se si ashensori i futbollit tonë .. i zbret dhe i ngjit ekipet e historisë, sipas një grafiku të “studiuar” me kujdes. Partizani iku poshtë, më pas u ngjit deri tek titulli. Tirana pati po të njëjtin fat dhe tani nuk është çudi kur e dëgjon të thotë: “ Jemi për titull…” Radhën e ka Dinamo të ngjitet, më pas të shohim se si janë hedhur zaret  nga ..skenaristi!

Këto ditë Dinamo ka folur, ka folur në italisht ngaqë administratori i ri italian, Pontrelli,  donte të tregonte se nuk është si qeraxhinjtë e tjerë, që kontribuan për ta zhytur edhe më poshte ekipin që lëngon në thellësitë e ferrit të kategorisë së parë!  Ngjallje  shprese apo është një përrallë e radhës, në gjuhë të huaj  për blutë? Le t’i dëgjojmë dhe italianët, pasi u lodhëm duke parë se si e groposën tanët.  Deklarata e tyre është imponuese sepse e thonë.. te huajt : “  Duke marrë shkas nga shqetësimi dhe pikëpyetjet e shumta që kanë rrethuar ambjentin Dinamovit ditën e sotme, bëjmë me dije se nga mbrëmja e sotme, klubi është në duart e administratorit Marco Pontrelli”.  Bekuar qofshin italianët që u shfaqën si me magji në grahmën e fundit të Dinamos, madje nëse “perëndia”  ka vendosur të ndryshojë kryekëput fatin e klubit,  fanatikët e mbijetuar të Dinamos urojnë që këta italianë t’i ketë sjellë ajo dorë e mbarë,  që solli Edi Rejën në Kombëtare apo  trajnerin e Partizanit, Lerda…

sfidanti.al