Qimja e derrit , derri brënda apo derri maç për Dinamon!

Ish-trajneri Devolli la një batutë si trashëgimi : Dinamo ka qimen e derrit! Farruk Sejdini e tha edhe më bukur : “ Dinamo nuk ka qimen e derrit, por ka derrin brënda”. Pas “xhaxhit”, Sfidanti titulloi një shkrim: “ Ishalla nuk është derri maç?”. Dhe po të ndjekësh nga afër lojën me “letra” të Superligës, atë që që quhet “5- katëshi blu”, Dinamos i ka mbetur në dorë derri maç ! Dhe ç‘është më e keqja, e dinë të gjithë që e kanë ata në dorë dhe as nuk e lëshojnë dot. Ka nga ata që nuk u besohet, dhe javë për javë bëjnë pyetjen qaramane: “ Si ka mundësi që do të iki poshtë Dinamo?”. Vetëm një gjë nuk thonë: pse kur erdhi?

Për hir të së vërtetës, kjo Dinamo që u ngrit “brënda natës”, si një fantazëm për të na kujtuar një ekip të gjallë dhe të bukur, ishte si një biçim përralle e treguar nga shumë nastradinë.. Nisi me trajnerin Shkëmbi që la si “testament” deklarenë e pashoqe : “ Dinamo do të luftojë për titullin kampion” dhe po mbaron me një italian që quhet Vanoli, i cili po shijon i fundit “derrin maç“.

Thonë për italianët e stolit se janë tipa që dorëzohen, por ky që ka kullundritur Dinamo ka 4 humbje qyshse ka ardhur, ekipi ka shënuar vetëm një gol, dhe një zot e di ku e gjen forcën kur çohet e thotë se beson tek mrekullia. Po cila mund të jetë kjo mrekulli? Do të hapen portat e “digës së Superligës” në ndeshjet që kanë mbetur apo vitin e ardhshëm do të bëhet me 12 skuadra…

Sfidanti.al