Pse tradhëton Tirana?  Një familje që “ha” trajnerin e vet!

Tek Tirana sa më shumë predikohet për frymën e familjes në harmoni, aq më keq shkojnë punët. Një ditë të bukur, kur sollën si “pako” nga Greqia një ikonë për ta ulur në stol, janë dëgjuar këto fjalë: “ Me Artur Lekbellon trajner, familja bardheblu ka gjetur njeriun që kërkonte prej vitesh”.  Sa hap e mbyll sytë, Lekbello u kthye në Greqi, kurse në Shqipëri, në klubin që  predikon sikur ngjason me një familje, mbeti drama “dashuri dhe tradhëti”. Edhe në kohën e trajnerit Ilir Daja, edhe pse nuk ishte me gjak bardheblu nga origjina, u betuan se në gjirin e klubit do të shërbehej vetëm çiltërsi .

“Jemi një familje që nuk mbajmë sekrete” – i kishte thënë një ditë Dajës, presidenti Halili,  edhe pse në skedina kishte filluar të luhej me shenjën e largimit të Dajës. Si do të ndodhte ndryshe,  kur historia bën rezonancë edhe me emrin e tij  tek shprehja “në stol  nuk ka më qofte tek Daja”

Ka një ligj të pashkruar se trajnerët kur shkarkohen nuk duhet të flasin dhe të varrosin sekretet nëse duan të punojnë pësëri, por  Ilir Daja, paska thënë një frazë në ikje, përgjigjen e së cilës akoma nuk e ka marrë: “ Ju më thatë se ishim një familje, se do t’i thonim gjërat midis nesh, kurse unë largimin  e mësova i fundit”. Loja me trajnerin është një ndeshje më shumë e shkurtër se e gjatë, e mbushur me hipokrizi, ku fillimi është si “dasma” që ka qypin me mjaltë e pastaj fillon shija e keqe. Një skenar i njohur që pësëritet me beniskëri, sdimos kur beson se klubi nuk ka asnjë sëmundje tjetër, veç asaj që mbart trajneri. Këto ditë, pas humbjes në Korçë, fill pas një seriali pa lavdi të disa ndeshjeve, qortimet dhe dyshimet shkuan më shumë tek trajneri Mirel Josa, sesa tek futbollistët. E dinin dhe besonin se do të sillte “paketën kampione”, ndërsa në fushë po vuajnë  shumë, sa dukeshin sikur prisnin një taxi që t’i çonte tek porta korçare.

Sfidanti.al