Pas cdo ndeshje futbolli të luajtur në Shqipëri, në çdo nivel apo kompeticion, gjithnjë të shkon mendja, se trajneri i skuadrës humbëse është ai që vazhdimisht rrezikon më shumë. Kështu që pamjet që ofrojnë pas ndeshjes janë disa persona të shfiguruar, të errët si të kenë në kokë re të zeza që i kanë zënë dritën e djellit dhe që më pas shpërthjenë në justifikime nga halli, duke “mallkuar” arbitrat dhe kundërshtarët që kishin përballë, për t’i krijuar vetes me sa munden rrethana lehtësuese, në sytë e zgurdulluar të punëdhënësve. Dhe në fakt nuk kanë shumë faj, pasi gjithmonë është dikush i gatshëm për t’u treguar portën, të cilën duhet ta mbyllin nga jashtë. Madje, për t’i urdhëruar të kryejnë një process të tillë, nuk është se drejtuesit janë të gatshëm të mbështeten fort në parime. Tirana largoi një trajner të saposhpallur kampion, duke i improvizuar më parë eleminimin nga Kupa përballë Korabit të Peshkopisë, ndërsa tani, megjithëse po ndërrojnë çdo 2-3 javë nga një trajner, nuk po gjejnë mundësinë për të arritur zonën europiane.
Ndërkohë që lajmi i mirë i këtij sezoni ishte, se përveç faktit që njerëzit mund t’i heqin maskat pasi të vaksinohen, Dinamo ka filluar të bëhet serioze dhe me shumë mundësi do t’i kthehet elitës së futbollit tonë. Drejtuesit e rinj duket se e kishin marrë seriozisht dhe fillimisht dolën nga heshtja, duke prezantuar projekte gjigande me infrastrukturë dhe klub modern. Dhe, pasi shpëtuan me të gjitha mënyrat një edicion më parë nga rënia në një kategori më inferiore, tani po tentojnë ngjitjen në Superiore. Madje duket se kanë siguruar edhe një lloj suporti. Dikur, kur ishin në vështirësi i dhanë një assist, duke i dënuar skuadrën e Pukës, ndërsa tani nuk e pëlqenë si kundërshtar Burrelin. Mëgjithatë, fillimisht na u krijua përshtypja se futbollit tonë po i rikthehet një emër i madh, tani po lëkundemi dhe ndoshta më pas ka gjasa të na duket thjesht një iluzion optik.
Dinamo e projektit ambicioz italian po bën veprime të çuditëshme, përveçse ankohet edhe kur humbet edhe kur fiton. Trajneri Kamarata u largua për tek Apolonia duke sjellë dyshime, ndërsa arsyeja e klubit, sipas të cilin nuk mundi ta ndalonte ishte thjesht sa për ta kaluar ngjarjen. Më pas erdhi prezantimi pampoz i Morieros dhe Mikolit, që si gjithmonë u fokusuam me cilën skuadrën kanë luajtur në kohën kur ne i shihnim në televizor, kujt i kanë shënuar dhe cilin kishin shok skuadre. Ndërkohë që u larguan pa u transferuar ende nga Peza në Tiranë dhe arsyeja ishte edhe më bajate: Për performancë të dobët. Moriero dhe stafi i tij humbën një ndeshje që përkoi me ditët e para të mbërritjes, fituan një në fushën e tmerrshme të Orikumit dhe një tjetër e kishin pushim. Por, gjithnjë e më shumë qarkullojnë zëra, se te Dinamo nuk kanë shumë dëshirë të paguajnë dhe nëse kjo është e vërtetë, projekti për Dinamon e madhe është vetëm një ëndërr e njerëzve që vazhdojnë të besojnë, se prej vitesh futbolli shqiptar ka humbur një pjesë të bukur të tij…