Nja dy ditë më parë, presidenti i Romës, Xhejms Palota, lëshoi akuza të forta ndaj Milanit si një klub që po shpenzon përtej mundësive të buxhetit të tij. “Le të ma spjegojë dikush Milanin, se unë nuk e kuptoj dot”, – u shpreh ai. Palota duhej të ishte informuar më parë për shpenzimet e disa klubeve shqiptarë, dhe nëse do ta kishte bërë, do të kishte kafshuar gjuhën përpara sesa të sulmonte kuqezinjtë e Milanos.
Kukësi besohet se do të shpenzojë këtë vit 80 mijë euro për stafin teknik, Milinkoviç-Gvozdenoviç, ndërsa paratë do të derdhen lumë për futbollistët, aq më tepër që kërkohet edhe një sulmues i nivelit të lartë pas ikjes së paralajmëruar të Pejiçit. Tirana, po ashtu, mendohet se paguan shumë për trajnerin brazilian Ze Maria dhe stafin e tij.
Nëse do të shikojmë bilancet, Kukësi është një ekip pa tifozë, dhe presidenti Gjici detyrohet t’i fusë falas në ndeshjet në shtëpi, ndërsa harxhet janë të mëdha për stërvitje në Tiranë dhe udhëtim çdo dy javë për në Kukës. Tirana, edhe kur ishte në Superligë, kishte pak tifozë që e ndiqnin (me përjashtim të derbit), ndërsa që nga janari u braktis prej tyre pas konfliktit me presidentin Halili. Kukësi, të paktën, ka fituar të ardhura nga kupat europiane vitet e fundit, ndërsa Tirana edhe ato që do të marrë ia ka borxh Federatës. Këto duhej të kishte dëgjuar përpara presidenti i Romës përpara sesa të fliste për Milanin.
Sfidanti.al