Pasioni për të ndihmuar, Robin Hudi i FSHF-së është më i shpejtë edhe se Infantino

Në një periudhë të jashtëzakonshme, çdo ndihmë është e mirëpritur, me kushtin që të priret nga sinqeriteti. Ndërsa në Federatën Shqiptare të Futbollit, një ndjenjë e tillë nuk është asmiliuar kurrë, kështu që si gjithçka më parë edhe një sëmundje globale po shfrytëzohet për protogonizëm. Kështu që edhe ndihma modeste për futbollin, nuk ishte tjetër, veçse një shfaqe që kishte një skenar melankolik dhe një kolonë zanore, ku si orkestër u përdorën si gjithmonë mediat. Pasi thirri qeverinë për t’u bërë aktore në aktin e parë, presidenti i FSHF-së deklaroi se do ta ndihmonte i vetëm futbollin, ndërsa në aktin e fundit doli në skenë me kostumin e Robin Hudit, duke deklaruar se u ka marrë gjysmën e rrogës punonjësve të federatës, për t’ia shpërndarë të varfërve të futbollit.

Ndërkohë që mënyra e ndarjes së paketës së ndihmës ishte edhe pjesa më komike e shfaqes. Pikërisht ata që kanë nevojë vërtetë nga kjo lloj bujarie, pra kategoritë e ulta që e mbajnë gjallë futbollin me shpërblime modeste, nuk përfituan asgjë, ashtu siç nuk kanë përfituar kurrë. Kjo është ajo kategori që thirret në masë në kohë zgjedhjesh, duke u joshur, duke u premtuar edhe shpirtin, e pasi gjithmonë shpallin fitues shefin ndaj çdo kundërshtari, trajtohen me përbuzje. Dhe u përjashtuan, ndërsa përfituese ishte vetëm Kategoria Superiore. Pra do të shpërblehet me 300 mijë lekë të vjetra nga “pagesa e luftës” një futbollist që paguhet 6-7 milionë lekë në muaj dhe është pothuajse e pamundur t’ua mbajnë, pasi e kanë të lehtë të hapin në çdo kohë një gjyq në UEFA. A e dini se çfarë bënë në Francë, në këtë kohë vdekjesh? Federata akordoi 15 milionë euro vetëm për futbollin amator dhe deri tani nuk ka menduar ende se si do ta shpërblejë Neimarin.

Por ka edhe një fakt tjetër që mund ta kategorizojë këtë si një tjetër lojë me hile. FIFA sapo ka deklaruar publikisht që do të shpërndajë një fond prej 2.5 miliardë euro për federatat e vogla, si ndihmë në këtë kohë krize dhe kështu që lajmi festiv i Dukës, nën tringëllimën e lekëve të thyera ishte fare i panevojshëm. Por përgjigjia e bosit të futbollit tonë ishte ideale për të mbyllur siparin e shfaqes: “Nuk e dija, e vendosa disa orë përpara Infantinos”…

sfidanti.al