Partizani humbet çelësin në Gjirokastër, nuk e gjen as pas ndeshjes!

Le t’i dëgjojmë fjalët e Starovës pas humbjes më pa histori të Partizanit: “  Gabuam shumë në Gjirokastër, por titulli është në këmbët tona. Ata u mbrojtën me shumë forca”.  Përsëri flitet për titullin, edhe pas një shuplake të hidhur që të jep shansin të largohesh nga ideja sfilitese e të shpallurit kampion para kohe. Partizani, para se të binte në grackën e Luftëtarit,  me atë që bëri, apo më mirë me atë që zhbëri për 90 minuta, kishte  përkëdhelur  veten se të gjithë janë poshtë tij dhe ky është  kampionati i pritur prej vitesh.  Besuan me naivitet fjalët e bukura dhe një dyzinë përkëdhelish, sapo u kthyen nga Turqia, se ishin forcuar aq shumë pas merkatos,  sa mjerë kundërshtarët çfarë torturash do të provonin në fushë.  Të vinte keq edhe për Luftëtarin  e vogël,  por të këndshëm në fushë, sapo dëgjoje se buldozeri i kuq do ta sheshonte, sa Gjirokastra do mund të pendohej për ç‘ka kish bërë deri tani. Ajo që ndodhi, vërteton edhe një herë se në“pijetoren” e kampionatit  tonë shërbehet eufori me gota të mëdha. Partizani vuante për të gjetur portën e Luftëtarit,  dukej tepër i paralizuar për t’i ngjarë vetes,  por zemra mezi e mbante kur Abazaj e Rexhinaldo ndiznin motorët drejt sulmit.

Nuk dihet sa e vërtetë është,  por është bukur të besosh edhe përrallën kur të spiunojnë fjalët e trajnerit Milinkoviç në pushimin e ndeshjes: “  Mund t’i bëni shumë gola sepse po tregojnë më shumë frikë sesa futboll..” Fjalët e tij i paska dëgjuar vetëm  portieri Hoxha , kur mbylli portën nga goli i tretë, që më shumë se do të pasuronte shifrat,  do t’i jepte përmasa dramës së kuqe.  Starova ka përsëritur disa herë një frazë ngushëlluese, disi iluzive, se Luftëtari  u mbrojt mirë dhe gati sa nuk tha se ishin edhe me fat.  Pas një ndeshjeje të tillë, sigurisht që të erren sytë,  prapëseprapë, nuk mund të shpërfillësh shifrën demaskuese ..asnjë gjuajtje në portë! Me gjuhën gjirokastrite, kjo është ndeshja më  kurnace e Partizanit në lojën sulmuese. Shyqyr që themi se Luftëtari qënka mbrojtur dhe fiton me 2 gola, për pak bëri edhe të tretin. Pyetja që frikëson është: po sikur të kishte luajtur në sulm?

Sfidanti.al