Partizani apo Skënderbeu?  Mjerë ai që luan për barazim!

Fjalët e Osmanit, ato që ngjallën urrejtje dhe shumë zemërim tek Starova, por edhe tek tifozët e Partizanit, paskan qënë si  “Kali i Trojës”  për ndeshjen e sotme. Fjalët e futbollistit veteran kishin shijen e një kupe me helm “ Starova na rekomandonte vetëm lojë inferiore në mbrojtje”, por, nëse do të ndalosh tek fraza me kujdes, aty ka edhe .. taktikë. Provokimi nga rivalët synon që Partizani i Starovës, edhe për inat të Osmanit me kompani, të marshojë në sulm pa u kujdesur shumë për portën. Në futboll ka edhe gracka të tilla, aq sa duken si fjalë naïve, që kanë një dozë mosmirënjohje, veçse në thelb, i shërbejnë një qëllimi final.

Kaq të rafinuar të jenë korçarët? Në këto vite, loja nuk është bërë vetëm në fushë, por edhe në prapaskenë. Partizani-Skënderbeu në “Elbasan Arena” është fundi i marrëzisë së fjalëve dhe fillimi i vertetë i lojës. Thonë se Starova e di “recetën” se si munden kampionët, dhe për të bindur, të japin kasetën e ndeshjes së sezonit të kaluar, kur “demat”  nuk pushuan për 90 minuta, duke i hequr pushtetin me topin kampionëve. Nga ana tjetër, edhe Agostineli,  italiani i Skënderbeut, i cili di më shumë se kushdo për Partizanin dhe sekretet e tij. Në të tillë raste, kur ndeshja ofron me shumë gjasa për të qënë një fuçi  baruti, jemi më pranë asaj që duam, futbollit pa kompromis dhe me nerva të tensionuara.