Një gjë tashmë është e sigurtë, ky që po luhet në Shqipëri nuk mund të jetë futboll. Vërtetë i kanë mbetur disa elemente, sa për të të mbajtur gjallë iluzionin optik të sportit më të famshëm në planet, por ka humbur gjithçka që e bën atë argëtues, duke e kthyer kështu nga futboll në paradoks. Ne prej kohësh nuk kemi më kampionat futbolli, në kuptimin klasik të fjalës, por kemi ende Skënderbeun, një skuadër që për nga cilësia ston me këtë realitet. Ndërkohë, meqenëse është ajo që i duhet më pak këtij lloj futbolli, duket se kjo skuadër nuk po u intereson më as atyre që ndihmuan për ta krijuar dhe që nxituan për ta vënë në majën e historisë vendase të sportit. Dhe meqenëse jetojmë në këtë kohë paradoksesh, nuk ka se si të mos ndjesh neveri për pasionin që po tregohet së fundmi, për ta çmontuar ekipin korçar, duke e trajtuar sikur të mos kishte ekzistuar. Çdo ditë i gjejnë nga një skuadër të re futbollistëve që e përbëjnë, Ilir Dajës së bashku me ta, si dhe kanë përcaktuar tashmë edhe ndarjen e vazove të shortit që do të hidhet për sezonin e ri të kupave të Europës. Ende UEFA nuk e ka thënë fjalën e fundit, ndërsa fanatikët e dikurshëm, të cilët u rreshtuan në kordonin e mbrojtësve, tashmë e kanë dënuar Skënderbeun paraprakisht dhe kanë publikuar me entuziazëm premion europiane që përfiton Kukësi si kampion i vendit.
E keqja është, se në këtë anormalitet, zhdukja e kampionëve tanë natyralë, pavarësisht nga mënyra se si na erdhën papritur, për t’u bërë dominues brutalë të futbollit tonë, nuk do të ndihmonte për asgjë, madje në të kundërt do ta përkeqësonte situatën. Këtu, humbja e besueshmërisë nuk ka lidhje me Skënderbeun, por me sistemin, madje nuk është më e limituar vetëm tek kampionati, por edhe tek ekipet Kombëtare. Skuadra e Panuçit sajon disa paraqitje zhgënjyese, por edhe të dyshimta, ndërsa trajneri italian nuk bën asgjë, përveçse konfirmon se është në Tiranë pikërisht për hir të këtij paradoksi që ekziston. Kristian Panuçi u kthye nga turpi franko-zviceran, duke i bërë thirrje Florentino Perez, se i kishte gjetur emra konkretë për të drejtuar Realin e Madridit, ndërkohë që duhej t’i kishte propozuar Dukës një trajner për Kombëtaren tonë.
Si mund ta quash tjetër, përveçse paradoks, faktin që Luftëtari arrin një sukses historik, duke marrë pjesë për herë të parë që nga themelimi në aktivitetet zyrtare europiane dhe poresidenti, në shenjë “mirënjohje” largon trajnerin. Drejtuesit e Tiranës deklarojnë se kanë gati 900 mijë euro për edicionin e ardhshëm, por vazhdojnë të sorollasin Muzakën, megjithëse me këto shifra të frikshme që përmendin, shifrat e borxhin ndaj futbollistit duhet t’i kishin thjeshtë para xhepi. Ndërsa presidenti i FSHF-së, drejtuesi më i denjë i këtij futbolli, vazhdon t’i mëshojë idesë së tij fikse, që pavarësisht të gjitha pisllëqeve, renditja përfundimtare ishte më e drejta, përveç Kamzës që i shpëtoi nga duart. Tani le të presim përfundimin e Botërorit, për të vazhduar më pas sërish ne… me futbollin tonë.