Los Angeles është i Lakers, që fituan derbin e parë të këtij sezoni të rregullt të NBA. Sfida më e madhe e mbrëmjes në basketbollin amerikan shpërbleu të gjitha pritshmëritë, ndërsa konfirmoi edhe formën e shkëlqyer të Luka Donçiç dhe shokëve të tij, që triumfuan ndaj Clippers me 17 pikë diferencë në rezultatin përfundimtar 135-118.
Shënuesi më i mirë i sfidës ishte basketbollisti slloven, që vijon sezonin duke vendosur rekorde personale. Ai realizoi 43 pikë në suksesin e Lakers, duke hyrë në librin e artë të skuadrës kaliforniane, sa i përket lojtarëve me më shumë ndeshje me shumë se 40 pikë. Donçiç kaloi në këtë renditje legjendën Magic Johnson, ndërsa ka shumë kohë përpara për të kapërcyer në klasifikimin që kryesohet nga Kobe Bryant.
Paraqitja fantastike e Luka u plotësua edhe me 13 asist dhe 9 topa të kapur në tabelë. Një meritë në fitoren e Lakers kishin edhe dy yjet e tjerë të skuadrës, Austin Rives dhe Lebron James. I pari realizoi 31 pikë, ndërsa “Mbreti”, që ende nuk është në formën më të mirë për shkak të dëmtimit të fundit, mbylli ndeshjen e tij me 25 pikë, 6 rebaund dhe po aq asist. Nga ana tjetër, për Clippers, shënuesi më i mirë ishte James Harden. Me 29 pikë, 9 asist dhe 5 rebaund, “Mjekra” bëri detyrën, por nuk kishte ndihmën e shokëve të skuadrës për të evituar humbjen. Me këtë fitore Los Angeles Lakers mbeten në vendin e tretë të Konferencës së Perëndimit duke u konfirmuar edhe mes favoritëve për titullin kampion në NBA.
sfidanti.al

