A e mbani mend “betimin” e trajnerit të Kombëtares, Panuçi, në ditët e para kuqezi, sapo kishte zënë vendin e bashkpatriotit të tij, De Biazi. Nuk mund të harrohet fraza e tij sfiduese, sidomos për të dashurit e Xhanit : “ Nuk do të jem imitues i Xhanit , madje do të mundohem t’i bëj ndryshe gjërat..”. Puna e parë që bëri, apo me të cilën do të vërtetonte se kishte të drejtë kristiane , ishte “djegia” e autobuzit para portës. “ Ekipi nuk do të parkohet më para portës sonë, por do të parkojmë tek porta kundershtare ..me lojë sulmuese”. Dhe nese kerkon të largohesh nga kurthi i fjalëve, të mbetesh tek veprat në fushë, duket se Panuçi është njeriu që na imponon të nxjerrim lepurin e frikës nga barku , e shtyn ekipin më lart portës, pa patur shumë merak se në mbrojtje shtohet pasiguria. Në një ekip që është mësuar t’i flakë humbjet më shpejt sa duhet në koshin e harresës, ky stil loje, pra panuçizmi kuqezi, shijohet me frikë sapo loja del nga shinat klasike.
Ka një mal me ndryshime mes dy italianëve të fundit në stolin tonë, por ajo që i bashkon, është krejtësisht italiane. Për Xhanin thoshin se iku duke vendosur një rekord përsa i përket futbollistëve që zbulonte dhe grumbullonte për ndeshjet miqësore, pa e ditur se rekordit të tij do t’i tunden themelet me ritmet e pasuesit të tij. Po të shikoni vetëm listën e fundit, atë për ndeshjen miqësore me Kosovën dhe Ukrahinën, ata që thirren si talente, dhe ata që shpërfillen pa talent nga lista, pritet të ndizet edhe më shumë gara që po shnderrohet në patologji, ku një shumicë ikin pa shpjegime dhe një shumicë tjetër ..pasuron hartën e emrave.
Le të japim disa emra: Armando Sadiku, Ledian Memushaj, Azdren Llullaku, Taulant Xhaka, Amir Abrashi, Andi Lila, Ansi Agolli, Burim Kukeli dhe Naser Aliji. Këta “senatorë”, nëse mund te quhen te tillë, nuk janë grumbulluar për këto dy ndeshje. Pyetja e parë që të tundon : si ka mundësi që trajnerët ndërrohen, kurse sëmundja për të rritur trafikun e emrave në Kombëtare, theksohet edhe më shumë! Panuçi vazhdon të betohet se në listat e tij nuk mund të fusë hundët qoftë i madhi fare, e as më i vogli i menexherëve , duke pozuar si një trajner që ka fituar lirinë . Ndofta edhe më shumë se De Biazi. Dhe në futbollin e sotëm, atë të mbytur nga profkat e pabesisë, kur trajneri i Kombëtares është edhe debutues, falja për gabimet që bëhen është më shumë..kristiane!
Gezim Sinemati
Botuar ne gazeten Panorama Sport