Të gjithë duan të ikin sa më parë, t’ia mbathin nga ky kampionat, madje edhe vetë ata që ishin zotër të eksperimentit. Kanë ikur nga ekrani shefat, ata që premtuan një kampionat me zemër në dorë deri në javën e fundit. Po ikin nga fusha edhe proletarët e topit. Java e fundit e një kampionati plot gënjeshtra, do të pagëzohet si java e rikthimit të dashurive të vjetra, bile edhe rilindja e ndërgjegjes futbollistike. Sapo është shfaqur Elis Bakaj me deklaratën e bujshme se “ nuk i bëjnë këmbët të luajë kundër Tiranës”, sikur është ndezur fitili i ndjenjave në një mjedis që dukej i vdekur moralisht. Ndaj, nuk çuditen më pak edhe fjalët e Gilman Likës së Tiranës, një futbollist që flet pak, kur ia plasi në prag të ditës më tragjike të klubit, duke thënë: “ Jo këmbët që nuk më bëjnë kundër Shkodrës time, por as zemra nuk e pranon..”. Thonë se java e fundit, do të jetë një epilog reflektimi për të gjithë personazhet e lodhur në një beteje ku të gjithe u vranë. Ka edhe futbollistë të tjerë që nuk do të donin ta luanin këtë ndeshjen tragjike, veç tepër të vërtetë, Vllaznia-Tirana. Çudi si vjen puna, futbollistët e të dyja ekipeve, kishin shansin moral për të dezertuar nga ekipi kur u urdhëruan të luanin futboll fals në disa ndeshje, tani që është ora e së vërtetës.. i la zemra.
Por, edhe arbitrat, ata që i vramë për se gjalli me presion, ku shkarkuam edhe gjithë mëkatet e të tjereve, kanë zemër dhe nuk duan të jenë të këqinj në javën e fundit. Nuk e thonë me zë të lartë, por edhe ata që janë në “qeli” si të dënuar, nuk duan liri në këto momente. Edhe ata që kanë mbetur jashtë, por që presin të dënohen, bashkohen në një hall të përbashkët: më mirë të jenë arbitra të huaj se nuk kemi zemër për t’i bërë keq Vllaznisë ose Tiranës”. Nuk dihet sa e vërtetë është, por edhe shefat paskan shkuar në kishën e futbollit për t’u rrëfyer. Pasi kanë treguar se deri ku arrin mëkati, janë lutur me shpirt : o Zot shpëtojë Vllazninë, o Zot shpëtoje edhe Tiranën..”
Sfidanti. al