O Zot i futbollit, pse ka dy Skënderbe? Një për Laçin, tjetër për Flamurtarin..

Nëse ka një ekip që meriton notë të lartë në lëndën demokratike të futbollit “mjeshtri aktori”, nuk ka dyshim se ky është Skënderbeu. Tjetër ekip me Laçin në mesjavë, i lodhur, gati i dorëzuar, me një lojë pa busullën e saj tipike, me një fjalë e përgatitur psikologjikisht për një humbje të justifikuar. Por, 3 ditë më pas, ekipi u “shplodh”, hoqi maskën e përgjumjes dhe ndaj Flamurtarit nuk pati më gjeste bamirësie. Ky është bio-futbolli i Superligës, lojë që trashëgon dhe forcon veset , lojë e mbushur me maska që e mban të ndezur halluinin me top deri në fund të sezonit. Jemi aq të mësuar me tradhëtitë që frymëzojnë ndeshjet e javës, sa askush nuk lodhet për të bërë krahasimin “shkencor” midis Skënderbeut të “vdekur” që luajti me Laçin dhe Skënderbeut shumë të gjallë, që nuk fali deri në fund me Flamurtarin …për shkak të karakterit..fitues!
Të gjithë e dinë, janë mësuar aq shumë me sjelljen paqëndrueshme të kampionëve ndaj ekipeve , sa askush nuk dënjon për të qortuar këtë sjellje hileqare, e cila ndryshon ngjyrë në bazë të kundërshtarit. Edhe kur e pyetën trajnerin Daja , jo për stilin kamaleon të ish-ekipit të tij, por për golin e anulluar në dëm të Flamurtarit, ai i ra nga Kina: “ Arbitrat e ndalojnë lojën 100 herë me bilbil…” Ai e di mirë, më mirë se shumë trajnerë të Superligës, se bilbili i arbitrit është shumë i vogël për të molepsur lojën e madhe , sepse ka një bilbil tjetër që komandon atë të fushës, ku sipas muzikës të të cilit ndahen dhe rolet e javës për fituesit dhe humbësit…
Sfidanti.al