Kur Maks Verstapen fitoi garën e kaluar në Meksikë, Ljuis Hamilton u shpreh se “ai më kujton veten time në moshën e tij”. Holandezi është i shpejtë, i guximshëm deri në çmenduri, i talentuar dhe fitues. Për më tepër, tani ai ka edhe një makinë Red Bull shumë të mirë. Në Çmimin e Madh të Brazilit, Verstapen nuk fitoi vetëm për faj të francezit Esteban Okon të Fors Indias, i cili e përplasi dhe e nxorri nga pista në një parakalim, ndonëse ishte një xhiro prapa.
Hamilton përfitoi nga kjo përplasje, e parakaloi pilotin e ri, dhe u shkëput në krye për të arritur fitoren e tij të 72-të, duke iu afruar gjithnjë e më shumë rekordmenit Mikael Shumaher, që ka 91 fitore.
Gjithsesi, diku nga mesi i garës, Verstapen me Red Bullin e tij e parakaloi lehtë Mercedesin e Hamiltonit, diçka që as nuk mund të mendohej vitin e kaluar, por edhe në pjesën më të madhe të këtij viti. Mos vallë, po kthehet Red Bulli i frikshëm që fitoi 4 tituj kampion radhazi me Fetelin?
Për momentin, festa është e Hamiltonit, e Valteri Botasit (dha xhiron më të shpejtë në Brazil) dhe e Mercedesit që fitoi matematikisht titullin kampion bote për skuadra.
Renditja për pilotë: Hamilton 383 pikë, Fetel 302, Raikonen 251, Botas 237, Verstapen 234, Riçardo 158.
Renditja për skuadra: Mercedesi 620 pikë, Ferrari 553, Red Bulli 392, Renoja 114, Hasi 90, Meklareni 62, Fors India 48.
Sfidanti.al