O zot , çfarë Superligë e tërbuar! U lodhëm me tokën, shikoni nga qielli…

Na kishin paralajmëruar  lajmësit e oborrit se ky do të jetë një kampionat i tërbuar nga koka dhe nga këmbët, luftë sipër dhe luftë poshtë, por , për dreqin,  nuk besonim ngaqë na kishin mësuar keq duke e ditur fundin e filmit qysh në fillim. Nga të gjithë përcaktimet që janë hedhur në treg për emrin e këtij kampionati pa gravitet ,  njëherë si “lajthitja e bojkotit”, një herë si “ klasifikimi më i tërbuar në këto dy dekada mbretërimi të despotit ”, herën tjetër si “ gara më e shfrenuar për titull  kur  edhe matematicienët kanë vënë peshqirin e lagur në kokë” , mund të veçohet përcaktimi i një “orakulli” të oborrit : “ Prisni, prisni, ju akoma nuk keni parë gjë, sepse trofeu i kampionatit do të qëndrojë lart në qiell me helikopter …deri në minutën e fundit.”

Nuk e kishim parë ndonjëherë Superligën t’i mbulonte kaq bukur mëkatet dhe pazaret e saj me klasifikimin e harbuar , sa shumicës nuk u intereson se sa të vërteta janë ndeshjet, pasi qejfi më i madh është tek  gara që po na bëhet si filmat e Hitçkokut që ndryshe i mendon dhe krejt ndryshe dalin.  Ndaj duket disi i çuditshshëm, dhe me guxim të tepruar, ky i  “orakullit” Shkëlqim Muça, kur edhe pse disa  herë parashikimet e tij kanë patur nevojë për “vaksinë” , prapëseprapë, nuk dorëzohet deri në fund dhe na lexon fatin  në   “filxhanin e futbollit” të kësaj jave që presim..

Thotë se këtë javë do të fitojë Tirana me Apoloninë, Kastrioti me Bylisin,  Laçi fiton me Teutën, Partizani fiton me Vllazninë, kurse Skënderbeu me Kukësin! Ehhh, sa burra ka gjunjëzuar ky kampionat në parashikime! Bastet u dhjenë  qysh tek javët se sa  do të zgjaste bojkoti, e jo më t’i gjesh emrin dhëndërit në këtë thes të mbushur plot me …(mos) përputhje !Nëse doni një këshillë, më mirë të mos shikojmë nga toka, sepse “patronazhisti i kampionatit”  po na ngatërron, më mirë shikoni nga qielli , atje  ku është edhe helikopteri me trofeun,  për të parë se ku do ta hedhin .parashutën me pakon e bekuar!

Sfidanti.al