Ka kaluar shumë kohë nga ajo ditë e paharruar me Izraelin dhe tifozët e Kombëtares duhet të demostronin një durim spartan për të mirëpritur, më së fundi, reagimin e shumëdëshiruar nga futbollisti i dashur, Mërgim Mavraj. Fjalët e tij nuk shkojnë dëm këtë herë, bile, kush të dojë mund t’i konsiderojë si kartolinën e fundvitit: “ U kërkojmë falje tifozëve për ndeshjen me Izrealin”. Një falje e vonuar në mënyrë të panevojshme, sepse të gjithë e dinin fort mirë se nuk ishin policët që zbritën në fushë dhe humbën ndeshjen, por futbollistët, ata që ikën duke na lënë porosinë: “ Mos harroni, se jemi ne të Francës”.
Më mirë vonë se kurrë, mbetet një ngushëllim i përhershëm edhe për futbollistët, në rast se besojmë se edhe sportistët profesionistë, kur është puna për ledhatime i kërkojnë të freskëta, si në Europian, ndërsa kur është momenti për të marrë fajësinë, mund të kalokan edhe javë të tëra ne pritje. Sidoqoftë, më mirë kështu. Nuk është hera e parë kur futbollistët kuqezinj, kur zbarkojnë në klubet e tyre nëpër Europë, flasin më çiltër dhe më besueshëm, sesa kur janë në tokën e tyre. Edhe trajneri De Biazi, vetëm kur iku në Itali, nga studio e atij vendi, pat deklaruar: “ Nuk e kishin fajin policët, por futbollistët”. Është interesant fakti se e keqja e ndeshjes ndodhi brënda, ndërsa e vërteta e saj na vjen nga..jashtë.
Sfidanti.al