Stefano Pioli është i bindur: 2017-ta do të jetë viti i Interit!

Prej disa ndeshjesh skuadra e tij bind, dhe vetë trajneri duket i bindur. Stefano Pioli beson se ka në dorë një formacion të denjë për çdo sfidë, dhe se Interi mund të bëhet i frikshëm me disa përforcime që mund të merren që në janar. Njeriu që zëvendësoi Frenk De Burin në stol, po e ngre në këmbë skuadrën zikaltër dhe bën një parashikim në një intervistë dhënë për kanalin televiziv të klubit, “Inter Channel”. “Jam dakord me ju, – u shpreh trajneri, – kjo skuadër është shumë e fortë dhe mund të realizojë objektiva të rëndësishëm. Duhet të vrapojmë fort në janar, por besoj se i kemi të gjitha mundësitë për të “zeruar” distancën që na ndan nga vendi i tretë”.
Aktualisht, Interi ka pak pikë diferencë me Napolin apo Milanin, ndërsa Pioli shprehet se “me disa përforcime, do të jemi edhe më të zotët dhe besoj se viti 2017 do të jetë viti ynë”. Zikaltërit do të nisin fazën përgatitore dimërore në Marbeja të Spanjës, ku Pioli gjykon se niveli i lojës do të rritet, ashtu si edhe njohja e tij me lojtarët dhe njohja e tyre me njëri-tjetrin. Me futbollistë si Handanoviç, Banega, Ikardi, Perishiç, Miranda, Zhoao Mario, Kandreva, Brozoviç apo edhe Gabigol, vërtet që premtohet të arrihet shumë.

Sfidanti.al