Sikur na pëlqejnë më shumë anektodat se të vërtetat, ndaj edhe historia me dy trajnerët debutues, Panuçin e Kombëtares dhe Julianon e Partizanit, fillimisht, tregohej sikur të ishte pjellë e fantazisë. Thuhet se pyetja që kishte marrë presidenti Demi i Partizanit, kishte patur një dozë helmi, por edhe përgjigja s’mbetej pas për nga doza.
- President, ku e gjeti Moxhi këtë Julianon, në magazinën e Juventusit?
- Mos më pyesni mua për Julianon, – kishte thënë zoti Demi, – basti i madh është Panuçi me Kombëtaren.
Nuk dihet se cili do të jetë italiani që do t’i mbijetoi më gjatë futbollit me bark të madh, që pasi u ngop me koka vendi, tani krenohet me shijen e re..kokat e huaja. Dhe me trajnerët italianë dashuria ka thekur më shumë, pasi në tokën kur ora mbetet pas në futboll, ne krenohemi më shumë se Panuçi dhe Juliano ka qënë futbollistë të mëdhenj, dhe nuk frikësohemi që si trajnerë janë emra të vegjël. Nëse do të besonim se do të përsëritej edhe një herë përralla e De Biazit, ata mund të largohen me emër më të madh nga ai që kishin, tamam siç ndodhi me italianin Xhani, i cili na lumturoi dhe e lumturuam, e tradhëtuam dhe na tradhëtoi, pikërisht në minutat e fundit të bashkëjetesës. Edhe nëse ruleti i fatit mund të jetë ndryshe për Kristianin e kuqezinjve dhe Mark-un e të kuqve , dyshja debutuese ka zbuluar se raca jonë, sidomos me top, ka nevojë për disiplinë, ose raca e tyre ka nevojë për pak reklamë. Në emër të disiplinës është larguar Cikalleshi nga ekipi përfaqësues, në emër të disiplinës ka marrë “kartonin e kuq” nga trajneri edhe kapiteni Hoxha i “demave”. I pari mori komplimente dhe qortime për vendimin befasues, ndërsa në praktikë, kur pamë ndeshjen me Lihtenshtejnin, se si vuanin për gol çunat kuqezi,madje si kufoma ngjanin në pjesën e parë, shumë vetë kanë pyetur: “ Hajde disipilnë, hajde ! Kjo na qënka dora e hekurt”. Kurse tek Partizani, pasi flakën Hoxhën dhe më pas, u përjetua si tragji-komedi humbja me Laçin, pyetja ishte me nota dekurajuese : “ Na kishin thënë se me Julianon do të shijonim një mbrojtje tip Juve, po kjo nuk ishte as..Neve. Po me Hoxhën ç‘patën xhanëm , s’do ta kishim parë atë “mrekullinë” e golit të dytë..”
Gezim Sinemati
Botuar ne gazeten Panorama Sport