Ju kujtohet mbledhja “masone” e Skënderbeut, kokë më kokë gjithë futbollistët dhe trajneri Daja, mu në mes të ndeshjes me Kukësin, me një koreografi të paparë proteste ? Sebepi ishte një penallti budallaqe e arbitrit Meta, të cilit i erdhën trutë në pjesën e dytë, kur Skënderbeu fitoi ndeshjen, por “humbi” kujtesën sapo pyetej se cili kishte qënë teksti i rebelimit. Nëse Flamurtari i Vlorës, do të imitonte gjestin e tyre, të ndërpriste ndeshjet sa herë që arbitrat e ndëshkojnë me penallti, apo ia mohojnë pa iu dridhur syri, skena kokë më kokë do të bëhej trendy i kampionatit. Duket si një fantazi apo lajthitje ngaqë Flamurtarin e rrahin dhe s’duan ta lënë të qaj, madje kur trajneri Duro tregon mëkatin e radhës ndaj tyre, sipër nga zyrat nënqeshin dhe mund të thonë me ironi: “ Prisni, prisni, 4 penallti kundër janë si karamele. Akoma është vetëm fillimi, sepse nuk ju shkon mëndja për atë që do të shijoni.” . Një lojë tejet e pisët, si në një film, ku viktima është marrë nishan nga snajperët me bilbil dhe pika e bardhë është zgjedhur si vendi i mortjes…
Edhe e dinë pse po ndëshkohen, edhe bëjnë sikur nuk e dinë pse ferri i zi po shfaqet tek pika e bardhë. Sa herë që Sinan Idrizi ia pallon “shtetit fals të futbollit” dhe krijuesit të tij, presidentit Duka, në qytet ndizet fantazia përqeshëse. Thuhet se në Vlorë , ngaqë Superliga është toka pjellore e basteve, vihen baste për mënyrën e dënimit , vihen baste se sa penallti do të jepen kundër Flamurtarit në javët në vazhdim, apo kuotimi mbresëlënës se djemtë e Duros, deri në fund të kampionatit, s’do të kenë shansin të gjuajnë një top nga 11 metra. Ka edhe nga ata që parashikojnë se po afron momenti kur Flamurtari do ta fillojë ndeshjen tek pika e bardhë, por jo ajo e mesit të fushës, por tek ajo ku Flamutari vuan, kurse shefave u shkakon orgazmë.. Nuk do ta dëshironim, por qënka edhe një bast i pamoralshëm, sikur shefi vlonjat pasi të lodhet me akuza, do të ndryshojë kursin dhe, pastaj, në Vlorë do të ngrihet “flamuri’ i penalltive në favor të tyre.
Gezim Sinemati
Botuar ne gazeten Panorama Sport