Në kohën e viruseve, Partizani  nuk ka frikë nga ..”sëmundja e humbjeve”

Shyqyr zotit që Partizani u çua nga gjumi në pjesën e dytë në Lezhë, sa për të mbyllur portën, sepse humbja mund të kishtë qënë edhe më bujëmadhe.  3 gola në Lezhë , në një ndeshje pa sens për kampionët, në  të vërtetë s’ janë fundi i botës, por, askush nuk e mendonte se “demat” do ta fillonin 2020-tën me një rrokapujë të tillë.  Çka ndodhur me kampionët që po dalin në fushë të pamotivuar, aq sa trajneri Sormani e shpall dorëzimin e tij me këto fjalë: “ Nuk funksionoi asgjë.  I marrë unë përgjegjësitë”. A mjafon kjo frazë plot “sakrificë”  e trajnerit për të shpjeguar kapitullimin kampion në Lezhë ?  Është në modën e lojës sonë , madje zakonin e ka kalcifikuar ekipi Kombëtar, që kur futbollistët dezertojnë teknikisht, por  më shumë moralisht, shfaqet trajneri si “kurban” i ndeshjes.

Drama e Partizanit bëhet më e madhe sesa  pesha e 3 golave, sidomos  kur trajneri Sormani thotë se detyra e tij është që t’i japë shpirt ekipit, sepse futbollistët nuk e kanë më!  Nëse me të vërtetë është punë shpirti, atëherë do të pyesnim me naivitet: ku shkoi shpirti i Partizanit? Nuk paska qënë i vërtetë betimi i një viti më parë se, kur dalin në fushë janë gati të vdesin  për fanelën  historike që kanë veshur?! Ka shumë pikëpyetje për krizën e kuqe dhe frika bëhet më e madhe kur  nuk diskutohet më për çështje madhore  të lojës, por  ekipit i paska ikur  shpirti dhe për fat të keq..nuk po  kërkon ta gjejë!

Sfidanti.al