Sikur të kishte një emision televiziv “ Kampionate të humbur” , sa prekëse do të ishte ajo pjesa në studio kur prindi, zyrtarët e FSHF-së, dhe Superliga, fëmija e tyre, do ta mbyteshin me lotë, edhe pse e kishin sajuar vetë ndarjen e gjatë. Një ndarje krejt shqiptare, nga ato që Europa nuk na ndihmon dot, ngaqë ajo na përgjon vetëm kur tradhëtojmë lojën, për datat dhe oraret e ndeshjeve janë gati të thonë “ vritni veten, bëni ç‘të doni. Në një kampionat pa kohë, ku akrepat e orës nuk thonë të vërtetën, pse u dashka që të shqetësohemi se futbolli bën si i vdekur , por do të ngjallet në fillim shtatori. Një ngjallje e bukur, mbresëlënëse, për ata që besojnë akoma se Superliga është një shkollë me stil unik , dite apo nate qoftë, dhe si e tillë, meriton t’i hapë dyert në një kohë me shkollat e tjera. Kështu, është tepër ngushëllues fakti që akoma nuk kemi zbritur në fushë, pale kur dëgjon komplimentin që vjen nga Europa, se kur kampionati shqiptar nuk fillon, ata duken më të ndershëm sesa kur topi u vardiset pranë këmbëve.
E mirë apo e keqe, Superligë apo ka raste kur trukohet si super-shtrigë, siç ndodhi në fundin e kampionatit, ne e dimë të gjithë se fundin e kemi “hollivudian”. Këtë radhë skenari i do të jetë edhe më mbresëlënës, më i besueshëm, por edhe më i shpejtë. Aq i shpejtë sa disa oborrtarë e kanë krahasuar dinamiken me garat e Usain Boltit, i cili niset me vonesë nga starti dhe pastaj kthen kokën pas duke u tallur me kundërshtaret . Edhe Superliga do të çmëndet nga gjysma e garës dhe do të përqeshë gjithë Europën, e cila tani gëzohet para kohe, sepse s’i shkon mendja se do te luajmë nga tri ndeshje në javë . Kuptohet, s’do të ketë shumë bukuri, por prologu do të jetë krejt i pabesë. Edhe më i keq si sezoni i kaluar. Është viti i Botërorit dhe “trofeu” nuk do të jetë kualifikimi, por që të zemë të parët vendin në divan. E kishin pyetur “regjizorin”, cili do të jetë fituesi në fund, na trego se kush pret fundin. Si një mjeshtër i madh aktrimi, ku fituesin nuk ia lexon dot në fytyrë, jep një përgjigje që vlen si biletë për të parë filmin e radhës: “ Të gjithë vriten, mos e kërkoni fituesin në fushë..”
Gezim Sinemati
Botuar ne gazeten Panorama