Kishte një moment në Europian kur mallkuam formulën, pasi mund të kishim çuditur edhe më shumë. Topi rrotullohet aq shpejtë, sa, këtë sezon eliminator, kemi ngrehur një bast tjetër “ Do t’i marrim Izraelit vendin e tretë”. Një bast që shumicës nuk i pëlqen, ngaqë i ka mbetur overdozë e euforisë së Francës, po që mbahet gjallë nga trajneri De Biazi, duke na kujtuar se mund t’i bini murit me kokë, por jo.. Spanjës dhe Italisë.
Nëse do të pranonim një ftesë për “finalen” e vendit të tretë më izraelitet, me kushtin për të prekur këmbët në tokë, detyrimisht lind një ngacmim: do t’i sulmojmë Izraelitët, apo do të mbrojmë portën dhe do t’i hyjmë vjedhurazi në zonën e tyre, edhe pse jemi në shtëpinë tonë.
Na ndërruam stadiumin për çështje sigurie, do t’i luteshim Zotit dhe De Biazit që ta ndërronim edhe mënyrën e lojës, për të flakur nga kujtesa dy ndeshjet e fundit, atë me Spanjën, ku nuk prekëm topin, dhe atë me Lihtenshtejnin, ku morëm pikët, pa shijuar kualitet në lojë. Do t’ia falim trajnerit edhe vesin për të xhongluar me listat e lojtarëve, ku Çani shpërthen lëvozhgën e harresës,( Gashi i golave “amerikanë” injorohet, me Kaçen tregon inatin, me Cikalleshin futet në gjynah), nëse do të luante kartat e lojës përtej portës së Berishes. Ata na ndërruan stadiumin për çështje sigurie, ne të ndërrojmë fatin e ndeshjes për çështje imazhi.
Gëzim Sinemati