Kur prokuroria italiane nisi të hapte “petët e byrekut” të Kalçopolit (Calciopoli), mes regjistrimeve zanore të përgjuara ishte edhe një bisedë e Luçiano Moxhit me përzgjedhësin e arbitrave të Serisë A, ku drejtuesi i atëhershëm i Juventusit i jepte përzgjedhësit emrat e gjyqtarëve që duhej të drejtonin ndeshjet e kampionatit. Mediat hulumtuan dhe gjetën se në atë javë për të cilën flitej, arbitrat ishin të gjithë ata që i kishte këshilluar Moxhi, dizenjatorit.
Në Shqipëri, duket se loja bëhet pak më ndryshe, por parashikimet dalin po ashtu të sakta. Xhelal Mziu, kryebashkiaku i Kamzës dhe një nga drejtuesit e lartë të klubit të futbollit kamzali, parashikoi për herë të dytë me saktësi një ndeshje të Superligës. “Vllaznia-Laçi del 1-0”, – tha Mziu. Ky ishte “rezultat në kokë”, ndërsa duhen bërë hetime për deklaratën tjetër të tij, se “shpërblimin që ishte caktuar për Vllazninë, e mori Laçi”. Pak javë më parë, Mziu u shpreh direkt në TV se “Teuta fiton me Laçin në Durrës”. Kështu edhe ndodhi.
Tashmë, thuhet se Mziu do të hapë një pikë bastesh në Kamzë ku do të bëhen parashikime për ndeshjet e Superligës, dhe besohet se kryebashkiaku do të nxjerrë fitime të rëndësishme.
Sfidanti.al