Misteret e largimit të Gegës nga Partizani: Familja, por edhe konfliktet!

Rrufeja ishte si në qiell të pastër.

Superliga sapo përfundoi me fitoren e titullit nga Partizani, dhe trajneri Skënder Gega e deklaroi hapur për mediat që po mendonte për sezonin e ardhshëm. Kaluan vetëm pak ditë, dhe deklarata e klubit ishte një tronditje e vërtetë. Gega u largua me mirëkuptim, kështu theksuan edhe drejtuesit e Partizanit  në deklaratën e tyre, po kështu edhe vetë Gega, në sqarimin publik në faqen e të kuqve në FB.

Çfarë ndodhi që i ndau kampionët kaq shpejt? Burime pranë klubit pohojnë dy arsye kryesore, ku shumë rëndësi i japin shkaqeve familjare, me familjen e Gegës në Shtetet e Bashkuara, dhe me distancën që gjithnjë mund të krijojë probleme. Një sakrifikim i karrierës pra, për familjen.

Arsyeja e dytë jepet lidhur me kompetencat, pasi Gega kërkoi që të vendoste më shumë për afrimin e lojtarëve. Kjo çarje ndoshta u krijua në dhjetor-janar, kur duheshin bërë përforcimet e dimrit, por lojtarë që thuhej se Gega i pëlqente, si Shkurtaj apo Rroca, nuk erdhën, edhe pse klubi i kishte mundësitë që t’i merrte. Vetë Gega, sipas burimeve në klub, solli vetëm Dukën me Rexhepin, të cilët e kaluan provën me sukses.

Gjithsesi, tashmë Gega është i larguar dhe, tek Partizani po mendojnë për pasardhësin. Kandidati kryesor që përmendet është Ilir Daja, tri herë kampion i Shqipërisë me Elbasanin, Dinamon dhe Skënderbeun. Tekniku i Flamurtarit besohet se përfundon kontratën në mes të qershorit, ndërsa kryeqytetasit ndoshta duhet të fitojnë konkurrencën edhe me Skënderbeun, që gjithashtu e dëshiron ish-trajnerin e tij.

Sfidanti.al