Sa herë që flitet për Milot Rashicën, për vlerën e tij që paska arritur shifren 40 milionë euro, që janë vënë në radhë klube me emër nga Anglia, ku nuk mungon as Liverpuli, që ditët e fundit Lajpcigu ka tundur fort kartat për ta katapultuar në sulmin e tij, kemi 40 milionë.. arsye për të kujtuar ish-trajnerin tonë, Xhani De Biazi. Një trajner për të cilin kemi thurrur vetëm lavde, një Italian i zoti në fushën e lojës, sidomos kur flitej për taktikë, por edhe më i zoti për t’u bërë i dashur në të dyja frontet: edhe për popullin kuqezi, edhe për ata që komandojnë popullin, krerët e politikës! Kjo është një arsye shpjeguese , pse ndarja me De Biazin, edhe kur s’është më në stolin kuqezi, të jetë e një lloji tjeter, sepse shpirti nuk na ndahet kollaj. Dhe kjo , pa hëngër hakun, për meritë të tij, i cili siç duket synon të na mbajë lidhur me kohën e artë që përjetuam, një kohë ku e pavërteta dhe e vërteta u amalguan një një..triumf historik!
Nuk e dimë se ç‘ditë ishte, qoftë e martë apo e mërkurë, por, me siguri, do të ketë qënë një ditë e ndjellur nga fati , kur në të njëtën orë u shfaqën në ekran, trajneri De Biazi që do na befasonte me një dhuratë, kurse në ekranet e botës u shfaq Milot Rashica, për të cilin flitej si një vepër arti që kishte ndezur ankandin . Ndërsa trajneri Italian zbuloi sekretin se po bën një libër për historinë e tij me Kombëtaren, në anën tjetër, thuhej se kosovari Rashica është shpallur si një sulmues – gur i çmuar , të cilit pritet që vlera ti rritet përsëri. Pse e bekuam në ato momente dyshen De Biazi-Rashica? Arsyeja është morale! Sa i mangët do të ishte libri i ish-trajnerit, nëse në kapitujt që kanë mbetur pa u plotësuar akoma, po të mos të jetë dhe një pendesë altari , nga ato “alla kristiane”, kur Xhanin e lane sytë, u verbua, dhe i e çmoi të padobishëm Rashicën . Të tillë sa dhe mund të falej pa pike pishmani. Po, po, e falën paturpësisht, me krenari hileqare, tek përfaqësueja e Kosovës. Një bamirësi idiote në kuptimin sportiv, e denjë të futet në dosjet e zeza,por dhe në libra, ngaqë ka lënë shumë pengje, më shumë dyshime, e cila me gjuhën e tregut do të thotë një paaftësi që kushton 40 milion euro…
Sfidanti.al