“Problemi im nuk është UEFA, por futbolli në fushë”. Janë fjalët e trajnerit Agostineli para ndeshjes me Teutën, fjalë që zbulonin se kriza që shfaqet në fushë vjen nga koka dhe italiani kujton se beteja me UEFA-n nuk është luftë e tij, por vetëm e presidentit Takaj dhe të tjerëve pas tij. Po futbollistët, misionarët e fushës, ata që kanë marrë meritat për fitoret, po aq sa kanë lavdi të zezë për futbollin e tradhëtuar, duan t’ia dinë për zemërimin e UEFA-s. Sa shumë naiv duhet të jesh, që të mos kuptosh se atyre i ka marrë një shuplakë të hidhur karriera sportive. Trajneri italian po mban gjallë një përrallë italo-shqiptare sikur klubi kampion as nuk e vret fare për dënimin e UEFA-s, ndaj edhe ky barazimi i fundit me Teutën, mbart vetëm një qortim teknik ngaqë shpërdorohen rastet.
Më parë se të parashutonte Agostineli në stolin korçar, kur gjurmoje ndeshjet e Skënderbeut në kampionat, kishim dëgjuar shpesh një frazë krenarie: “ Kur luajmë në kampionat, mëndjen e kemi në Europë”. Shijet ndryshokan shpejt, sidomos kur je në qelinë e futbollit si i dënuar, sa dëgjon të kundërtën e tradiconales, por në gjuhë italiane: “ Luajmë në fushë dhe as nuk kemi lidhje me ato që ngjasin me ne në Europën e UEFA-s”. Dikush, një zë autoritar nga klubi, duhet t’i kishte thënë trajnerit se ka marrë kasetën e gabuar dhe se ajo që ngjet në fushë është dhe reflektim shpirtëror i ekipit më të mirë të këtyre viteve, të cilin e keqpërdorën dhe nuk po guxojnë ta mbrojnë me avokatët më të shtrenjtë, siç ndodhi me Kombëtaren.
Gëzim Sinemati