Shqiptarët “sulmojnë” ekipet e moshave, ende jo gati për kombëtaren!

Pas 14 vjetësh me trajnerë të huaj, kombëtarja shqiptare ende nuk duket gati për një ndryshim epokal. Një shqiptar në stol shihet ende aq larg, sa edhe koha kur njeriu do të vendosë këmbë në Mars. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i dha një dorë trajningut kuqezi duke emëruar dy ish-sulmues të kombëtares, në krye te dy ekipeve përfaqësues të moshave. Alban Bushi dhe Erion Bogdani janë një investim për të ardhmen, ndoshta për shkak se kanë qenë figura të rëndësishme të kuqezinjve.

Në një të ardhme, mund të afrohet edhe Lorik Cana, ndërsa njerëz të tillë si Besnik Hasi, janë gjithnjë pranë. Nëse Duka do të vendoste një ditë të mos merrte një trajner të huaj, ai do të zgjidhte pikërisht një nga ish-yjet e kombëtares. Besohet vetëm ata mund të përballonin presionin e një shoqërie që është mësuar të ushtrojë një trysni të madhe mbi njerëzit e saj, nëpërmjet lidhjeve të gjakut, shoqërore dhe politike. Gjithsesi, duket e vështirë një shqiptar në stol përderisa të ekzistojnë alternativa të tjera të ngjashme me De Biazin.

Sfidanti.al