Mezan, pse kopjove Stavri Nicën? U dashka lëpirë modeli kuqezi …

Kur fusha e Luftëtarit dënohej nga FSHF-ja, tifozët gjirokastritë ngjiteshin në majë të pemëve apo pallatave për të mos humbur lidhjen me ekipin e tyre. Por paska edhe më keq : kur futbollistët e Luftëtarit e bëjnë portën fizarmonikë, si në ndeshjen me Kastriotin, duke ulur “mbathjet” pa pikë turpi për të thithur 5 gola, tifozët qënkan ngjitur nga zemërimi deri në majë të Kalasë . Ajo kala që dikur përdorej kundër pushtuesve, tani mund të shërbejë si mburojë nga ..antifutbolli! Drama e fundit që ka ndodhur në Gjirokastër, ku futbollistët trafikuan veset në fushë dhe e pësoi më i pafajshmi, trajneri Mezani, nuk është gjë tjetër, veçse triumf i “prostitucionit” për të cilën kujdeset me shpirt sistemi..
“Kisha e ligë e futbollit”, ajo që deformon misionin e futbollistit, pak kohë më parë, ka dënuar trajnerin Stavri Nica sepse tha disa fjalë që u konsideruan heretike. Fjalë që ishin shumë të vërteta për një futboll të mbushur plot me gënjeshtra. Morali i fjalëve të tij mbetet si një himn që i kalon kufinjtë e një kampionati:
Më mirë iki në shtëpi, në fukarrallëkun tim, sesa të bëhem lodër në këtë lojë të mjerane! Po Mezani, trajneri që hidhej si trim në ekipet ku plaste bomba, çfarë dreqin paska thënë dhe s’i paska duruar dot ato 5 gola..Edhe sikur të ishin pjellë skedine ! Gabimi i Mezanit është se pas ndeshjes se turpit nuk duhet të fliste me stilin “Nica”, por me një stil tjetër, që njihet me sy mbyllur në rethet e trajnerëve kuqezi. Aty ku trajneri edhe pse dyndet me gola, edhe pse e di mirë se futbollistët luajnë sipas fijeve që terhiqen nga lart , largohen me frazën-testament, ku zbulohet edhe kleçka pse futbolli ynë vlen më shumë në Azi sesa në Shqipëri : “ Golat janë ndryshe nga pikturat. Më shumë vlejnë golat fals sesa të vërtetët..”

Sfidanti.al