Të qajë apo të qeshë? Solskjerit heroik i prishet seria fituese

Mançester Junajtidi i dikurshëm ishte mësuar të shënonte në minutat e fundit, shenjë e karakterit të një skuadre të madhe. Quhej “Fergi Tajm” (Fergie Time), pra “Koha e Fergusonit”, por sot “djajtë e kuq” janë në “Kohën e Solskjerit”. Trajnerit iu ndërpre seria e shkëlqyer prej 8 fitoresh radhazi, por skuadra e tij reagoi fuqishëm për të shmangur humbjen që u duk e sigurt.

Bërnli kryesoi deri në 2-0 në “Old Traford”, në një ndeshje Premier Lige, shumë më e dobët se zakonisht për vendasit. Eshli Barns dhe Kris Ud ishin autorët e golave, që të dy pas pushimit (51’, 81’). Kohë nuk kishte fare, por Junajtid nuk u dorëzua dhe kjo ishte shenjë më e mirë, sesa ishte shenjë e keqe, loja e dobët. Pol Pogba ktheu në gol penalltinë në 87’, dhe minutat e fundit ishin një “sulm atomik” i skuadrës së Solskjerit.

Mund të ishin shënuar më shumë se vetëm një gol, por kaq qe e thënë, dhe në të vërtetë Mançester Junajtid nuk është se meritonte shumë. Mbrojtësi Lindelof barazoi në minutën e 92-të. Mediat e theksuan menjëherë rëndësinë e reagimit. “Harroni kohët shterpë të Murinjos, Van Galit e Mojesit, – shkruajti “Deili Meili”, – ky fund ndeshjej sikur ishte nxjerrë nga manuali i Fergusonit”.

Sfidanti.al