Futbollin që luajtën midis tyre Skënderbeu dhe Partizani i Beogradit, media serbe e ka pagëzuar antifutboll, por si mund të presësh spektakël nga një përballje sportive të marrë peng nga politika. Sa herë që luajmë me fqinjët, në nivel përfaqësuesesh apo klubesh, duket sikur nuk blindohet vetëm stadiumi dhe qyteti nga masat e forta policore, por blindimi mbërrin deri në fushë, ku të lodhin edhe masat e trajnerëve. Dhe për hir të së vërtetes, më të fituar dalin serbët, më të zhgënjyer dalim ne, që vazhdojmë të ngushëllohemi , në këto raste, me batutën e artë dhe ironike të tifozëve se “ morëm notën 10 në fizkulturë ( për superpritjen dhe supermasat për kundershtarin) dhe ngelim në klasë në lëndën bazë, që në këtë rast është loja 90 minuta. Një lojë pa bukuri, sikur të kishim bërë një pakt jo vetëm për tifozet miq tw mos ishin, por .. nuk do ta ngacmonim tek portat njëri-tjetrin, aq sa dukej sikur futbollistët po luanin në një atmosferë ireale, ku lejohej në ekstrem pabukuria e cilësisë, por s’lejohej kurrsesi ta humbisje ndeshjen.
Fakti që më të mirët për Skënderbeun u shpallën portieri Shehu dhe mbrojtësi Mici, zbulon edhe njëherë se kemi shpëtuar paq dhe barazimi vlen si një kapak floriri. Sidomos kur kujton se dolëm pa lagur ne pjesën e dytë, falë një pritje madhore të Orgesit dhe shtylla që pengoi futbollistët nga Beogradi të dilnin prapë si heronj nga toka, ku ndeshja më shumë përflitet se sa luhet. Me atë që pamë në fushë, për dreq, do të mbeten në fuqi edhe për ca kohë dy golat e “famshëm” që u kemi shënuar atyre, një nga toka me Kushtën shumë vite më parë, dhe një nga qielli , me dronin “Kali i Trojës” ku u rrëmbyem 3 pikët…
G.Sinemati