Pikërisht kështu filloi mbyllja, si në këtë foto, me protagonistët që përshëndeteshin me njëri-tjetrin duke takuar grushtet dhe mbajtur distancë. Pra futbolli humbi një herë përqafimin, një element të rëndësishëm pothuajse sa edhe goli, ndërsa në fund u mbyll në shtëpi, gjëja më e shëmtuar që mund t’i ndodhë një loje që është krijuar vetëm për të lëvizur. Ndërsa ne të tjerëve, të mbyllur gjithashtu për të njëjtën arsye, për hir këtij virusi të frikshëm me emër seksi, filloi të na shijonte një bilanc i pazakontë. Eshtë futur në karantinë vetë Ronaldo, më pas dikush tjetër nga bota e futbollit, i cili nuk ka famën e portugezit, por që gjithsesi ka lindur për të vrapuar. Në karantinë e gjithë Juvja, Çelsi, Arsenali… Lajme të çuditshme për për ambjente të tilla, ku edhe të ecësh normalisht është e ndaluar, por në këtë kohë që po jetojmë janë ngushëlluese dhe të qetësojnë shpirtin.
Ndërkohë që është e natyrshme që tani të mos ketë më kampionate, apo kompeticione të tjera të çfarëdo lloj rëndësie, madje as me atë variantin qesharak të stadiumeve me dyer të mbyllura. Kështu që e gjithë Europa e topit tashmë ka ndaluar nga një bilbil që ofron kollë dhe temperaturë, ndërsa nuk dihet se si do të përfundojnë eventet futbollistike. Dhe në rrëmujën e lajmeve të njëjta që përplasen me njëra-tjetrën është edhe një që bën fjalë për ndërprerjen e futbollit edhe në Shqipëri. Kështu, veç Ronaldos, në këto ditë të trishtuara nuk do të kemi mundësi të shohim as kampionatin tonë. Në fakt, mund të tingëllojë e paarsyeshme, por ky lloj futbolli edhe mund të vazhdonte pa asnjë problem, në mënyrë virtuale, ashtu siç po bëjnë mësuesit me leksionet që po u dërgojnë në kohë reale nxënësve të tyre. Me fjalë të tjera, kampionati ynë mund të vazhdonte shumë mirë të luhej “on line”, pasi pothuajse e njëjta gjë ka ndodhur edhe më parë, në kohë shumë më normale se ky ngujim masiv. A nuk është luëjtur më parë në fushë dhe verdiktet e saj as që janë marrë në konsideratë, madje në të kundërtën, fituesit janë emëruar nga zyrat qendrore të FSHF-së? Do të ishte e njëjta gjë, veçse nuk do përdoreshin më arbitrat dhe do të këshillohej të desinfektoheshin duart jo nga mëkati, por nga coronavirus…