Kjo ishte e ç‘ishte! Sapo dëgjojmë euforiken rroftë Kridenc Meta, fillon tjetra … poshtë Kridenc Meta ! Presidenti Duka e bekoi në takimin me arbitrat , kurse Partizani e mallkoi pas eleminimit nga Kupa në përballjen me Laçin ! Sa do ta donin një fat të tillë gjithë arbitrat, vetëm ta kishin bekimin e “mbretit”, punë e madhe ç‘akuza bëjnë ekipet…
Disa ditë më parë, kur presidenti Duka u tërhoqi ( medemek fort) veshin arbitrave në një takim kokë më kokë, ngaqë po nxirrnin “trenin e besimit ” nga shinat, fati i buzëqeshi vetëm …qerosit. Kështu e thërrasin Kridenc Metën., që këto kohë ishte shfaqur si engjëll me bilbil. Presidenti u kishte dhënë një model për të kopjuar : Ndiqni shembullin e Metës në gjykim, për të askush nuk ankohet !” Mos flasim për belanë që e gjeti arbitrin e FIFA-s, Juxhin Xhaja, kur kishte marrë një pyetje ç’armatosëse : Pse ashtu jepen penalltitë, siç bën ti..” Dhe kush më mire se “baba i lodrës” e di se si jepen penalltitë…
Ndiqni shembullin e Kridenc Metës , një frazë që del nga goja e shefit të madh për një arbitër që e kanë “vrarë” tri here dhe më në fund e ngjallin për ta lëvduar. Por, ky modeli Meta nuk zgjati shumë ose zgjati aq sa duhej për të mbërritur tek adresa e njohur..gabime njerezore!
Pas eleminimit nga Laçi me 11- metërsha, Partizani thirri me zë koke kundër arbitrit Meta. I paska kullufitur jo një penallti, por tre bashkë! Dhe ku ? Në Laç, atje ku arbitrat e thonë vetëm nëpër dhëmbë , është vendi ideal për të bërë “gabime njerëzore” , sidomos tek pika e bardhë! Kishim kohë pa ia dëgjuar britmën e zemërimit Partizanit, madje thuhej se “demat” kishin bërë pakt me “djallin” se asnjë arbiter, qoftë me flokë ose pa flokë , nuk do të guxonte t’i tridhte me marifet ndeshjen. Hajde besoje këtë pakt, kur të gjithë e dimë se Kupa është e mbushur me helm.. qyshse në fron është ulur “mbreti”.
Sfidanti.al