E quajtën “Derbi pa gojë” për shkak të mungesës së tifozerisë, por, ashtu siç ndodhi, mund të thuhet se memecit i erdhi goja! Të gjithë e kanë frikë Covidin, kurse Derbit i paska prirë e mbara. Edhe pse kanë marrë nga një pikë, kurrë më parë, Partizani dhe Tirana nuk kanë gjetur arsye për të qënë kaq të lumtur me barazimin. Partizani mundi moralisht Tiranën gjatë ndeshjes, trajnerin e saj Sormani që ia mbathi nga stoli për ta parë ndeshjen nga ekrani me maskë dhe dorashka dhe të gjithë ata që mendonin se “demi” nuk do të ngjallej më deri në fund të kampionatit. Po Tirana, e cila ishte futur nën hijen e këtij derbi, ç‘arsye gjen për të qënë kaq e lumtur? Ky paska qënë barazimi i jetës, pika e titullit, ajo që vlen më shumë se sa “bëmat” e Partizanit gjatë 90 minutave. Le ta mbajë Partizani kurorën e fituesit moral të ndeshjes, por pas këtij barazimi tragjik për të kuqtë, kurora e madhe, ajo e titullit, do të ndryshojë ngjyrë në mënyrë historike..nga e kuqe në bardheblu!
Kemi vite që thonim se bukuria e Derbit nuk janë futbollistët, as loja që ata krijonin nga frika e njëra tjetrit, por ajo që ndodhte mes tifozerive. Këtë herë, kur Derbi luhej në një stadium që ngjante më shumë me biblotekën që ka kullë ngjitur në trup, më në fund e fituan pushtetin e humbur ekipet. Partizani dhe Tiranapaskan fituar të dyja pas ndeshjes: të kuqtë që i dhanë leksion me lojë kundërshtarit dhe një shuplakë trajnerit të tyre ikacak , ndërsa Tirana që arriti kulmin e pragmatizmit, edhe pse brenda një frikë të madhe, kur në një minutë në katin shtesë të ndeshjes.. prishi themelet e 90 minutëshit. Le të thonë sa të duan se Tirana është ulur në gjunjë me lojë para Teutës, Kukësit apo me Partizanin në ndeshjen e fundit, kur nisesh drejt titullit, sidomos në dynjanë tonë, pikët janë spektakli i vërtetë , ndaj dhe tabela e klasifikimit na imponohet si e vërteta më e madhe, si ajo prona që mban vulën e hipotekës…
G.Sinemati
Botuar ne Panorama Sport