Po të pyesësh në Federatë se cila është dita më e keqe për zyrtarët, as nuk vihet në dyshim se do të thonë se ishte ajo data flamë kur shefin e tradhëtuan në UEFA. Nëse këtë pyetje do ta bënim tek ekipi Kombëtar, pa dyshuar në sinqeritetin kuqezi, me siguri, në kor, do të tregonin ndeshjen e pamoralshme me Izrealin. Po të shëtisësh me këtë pyetje në trojet e kampionatit dhe të parin të pyesësh kampionët e Skënderbeut, pa më të voglin ngurim do të zbulonin se nuk ka ditë më të hidhur se kur u dënuan për të mos luajtur një vit në Europë. Po tek Tirana, si do të reagonin përballë kësaj pyetjeje? A mund të ketë vetëm një përgjigje, në një sezon ku janë goditur gjithë vlerat. Tirana ka humbur më shumë sesa i takon një brezi lojtarësh dhe nuk mund të gjëndet një ditë e vetme, më funebre se të tjerat. Për disa, nuk do të harrohet kurrë, momenti kur u prishën me tifozët e zjarrtë. Ndërsa për disa të tjerë, dita më e keqe mund të jetë ajo kur Tirana u dashurua me shkesi me Kukësin, duke merituar një keqardhje të madhe. Një gjest që do të kujtohet si blasfemi , në një klub që prej vitesh kishte thyer dhëmbët me kundërshtarin , sidomos me ata që lakmonin titullin. Ndaj u vunë aty, në korridorin që të dërgon në fushën e “Selam Stërmasit”, potretet e Mingës dhe Kolës, dy ikonat bardheblu, dy sakrifikues të paharruar, që për golin rrezikonin edhe më shumë sesa vlente vetë ndeshja.
Sikur pyetjen se cila është dita më e keqe bardheblu, të kishim fatin t’ia bënim Mingës ( që jetoi më shumë në fushë sesa jashtë saj) dhe Kolës, mund të ishim befasuar me përgjigjen e tyre dhe me naivitetin tonë. Gjëja më e keqe nuk qënka as vendi i humbur në UEFA, as kujtimi i hidhur i ndeshjes me Izraelin, as dënimi europian i kampionëve, por një gjë tjetër, që na përdhosi sytë dhe shijen, pa u bërë shumë zhurmë. Futbollisti i ri i Tiranës, Turtulli ka shënuar golin e parë në Superiore dhe fati e kishte dënuar të mos festonte. Skena që vinte nga ndeshja Kukësi-Tirana ishte nga ato që të lënë me gojë hapur: futbollistët bardheblu, jo vetëm nuk iu gëzuan golit historik të shokut të tyre, por disa e shikonin me habinë, sikur donin t’ia mohonin golin “ sot e gjete ti..” Po, po ,atë ditë e gjeti Turtulli golin e parë të karrerës, dhe po atë ditë u rishfaqën edhe futbollistët e rinj Halili dhe Nuriu , të cilët patën fatin e pashmangshëm të provonin “gjellën e prishur” edhe për meritë të prindërve të tyre që drejtojnë futbollin në klub dhe më sipër. Si vjen puna, kur shikojmë një film me skena që nuk i lejohen çdo moshe, këshillohemi të largojmë fëmijët. Në futboll, kur shikojmë filmin e prishur qysh në regjizurë, pse u dashkan mbajtur në fushë brezi i panjollosur…
Gëzim Sinemati
Botuar në gazetën Panorama Sport