Vinçi: Sharapova duhet të përpiqet shumë

Kundërshtarja e parë e Maria Sharapovës, mbas përfundimit të dënimit të saj 15-mujor, për shkak të përdorimit të një subastance të ndaluar, do të jetë tenistja italiane, Roberta Vinçi, që, gjithashtu, e ka kritikuar vendimin e organizatorëve të turneut “Porshe” në Shtutgart që kanë ftuar tenisten ruse që të marrë pjesë në këtë turne. Kjo veterane italiane, në këto kushte, do të jetë tenistja e parë që do të gjendet në anën tjetër të rrjetës përballë Sharapovës, këtë të mërkurë, mbas dënimit të saj të lartpërmendur.

“Unë, personalisht, nuk jam dakord që dikush lejohet që të marrë pjesë në turne me ‘Wild Card” (ftesë të veçantë). Maria është një teniste e madhe, unë nuk kam asgjë kundër saj. Ajo bëri gabim dhe e shleu atë, kështu që mund të kthehet në fushë, por pa ‘Wild Card’. Unë e di se ajo është e rëndësishme për tenisin dhe turnetë, por ky është mendimi im”, tha veterania 34-vjeçare italiane. Sharapova, në fakt, ka marrë ftesa që të luajë edhe në Madrid dhe edhe në Romë, ndërsa, tani, sytë janë drejtuar tek organizatorët e Grand Slemit të Francës që do të duhet që të vendosin, nëse tenistja ruse 30-vjeçare do te ketë nevojë për “Wild Card” apo do të marrë pjesë lirisht si tenistet e tjera.

Sfidanti.al