Sipas zakonit, kur lajmi i mirë vjen për dore bashkë me një lajm të keq, kemi preferuar të keqin në fillim, që më pas të rregullojmë shijen e shpirtit me tjetrin. Po cili na qënka lajmi keq? Sapo ka filluar të shpërthejë Superiorja me intrigë dhe me tradhëtitë e saja, thuhet se ndeshja e madhe, ajo “ e jetës” për fronin e presidentit, mund të shtyhet edhe më tej se 7 shkurti. Po lajmi i mirë? Le të bëhet kur të dojë Asambleja, në dreq vafshin edhe zgjedhjet, sepse ndeshjet e Superiores do ta dalin nga skenari, për aq kohë sa Asambleja të votojë lojën që meritojmë të gjithë dhe jo siç e do vetëm.. Nastradini.
Kjo e premte, të cilën e kishim pritur si ujët e pakët, ngaqë na kishte sfilitur pyetja shqiptare, Duka apo Fino, mund të pagëzohet si një e premte e denjë për kornizë, nga ato që mezi futet në kornizat që presin bëmat. Ka humbur Skënderbeu pa histori, si në “nderim” të vitit jubilar të heroit nga i cili ka marrë emrin, por ka fituar Luftëtari, ekipi që na spërkat me aromë, pa të cilën nuk do të durohej era. E kanë zakon kampion..kampionët, që kur humbasin pa talent, të kokulisen me arbitrin, në rastin konkret me Xhajën, për ta na e bërë më të vështirë deshifrimin e ndeshjes.
E lamë futbollin duke u marrë me arbitrat dhe loja ka nisur prapë, edhe pas nje muaji, me një pozë të pakëndshme, duke i futur duart arbitrtit të gjorë. Edhe Partizani, si Skënderbeu, ka merituar humbjen , por ka “fituar” duelin me të vërtetën, duke fajësuar arbitrin Jorgji. Dhe kur shfaqet Jorgji, edhe kur ka të drejtë ai, nuk na lejon e kaluara për të gjykuar të tashmen. Ajo që ka ndodhur në Vlorë është haleluja për Flamurtarin, pasi ka marrë atë që i vidhej prej kohësh para syve…penalltinë. Po hajde ta pranojë Starova, një humbje nga 11 metra, nga një valë gjatësie e cila përkthehet ndryshe në klubin, që futbollin e madh akoma nuk e ka në fushë, por në sallën e Asamblesë, aty ku po harxhon gjithë fuqitë për të hedhur “bustin e diktatorit”…
Sfidanti. al