Loja e stadiumeve driblon  ëndrrën, loja në fushë.. luftën!

Ndërsa “Loja me stadiumet”  është një spektakël më vete, që shkon edhe përtej ëndrrave, pasi presidenti Duka, tamam këto ditë, ka thënë se stadiumi i Kukësit ia kalon edhe ëndërrave më të mira,  dy ndeshje të Superligës, hodhën në erë ëndërrën e shefave për një fund kampionati  ku në vend të dhunës do të kishim “puthje”, dhe në vend të ndërhyrjes së policisë do të kishte vetëm bekime për këtë garë të “çmendur” pikësh,që paska  zilepsur dhe ndjellur  mbarë …Europën!

Ajo që ndodhi në ndeshjen Tirana – Kastrioti , s’ka pikë dyshimi,  ishte si një udhëtim në futbollin e frikës, në atë lloj xhungle  ku topi dhe futbollistët dalin jashtë misioni, dhe  fusha i dorëzohet të fortëve. Flitet se Tirana ka shkelur ligjin e shenjtë të fair-play-t  në momentin e golit, kur në këmbë kemi një FSHF që  lodron  si me top lecke  me rregullat dhe me nderin e lojës.  Dhe në një futboll që mbijeton duke rrojtur  në një fushë të minuar nga dhuna, qoftë e bekuar policia që na jep mundësinë  të mbyllim  kampionatin vetëm me të plagosur..por  jo me viktima!

…Ndërsa udhëheqësi i madh  i futbollit te vogël , presidenti Duka, i gëzohet edhe me  kapërcim ëndrrash  lojës me top betoni në  ndërtimin e stadiumeve, ku xhonglimet me milionat janë si golat profetikë nëpër cepat e portave, edhe në Korçë, atje ku thone se degjohet vetem serenata dhe jo “muzika e forcës”, në fund të ndeshjes plasi një zënkë masive  mes futbollistëve, si për t’i paralajmëruar se ky fundkampionati, ato që quhen  4 javët e ferrit, më shumë se nga vetë futbollistët, do të vendoset nën kqyrjen e “patronazhistëve të mirë”, forcave të policisë, pa të cilët nuk do të guxonim të hidhnim dot as dy hapa në fushë…

Sfidanti.al