Pyetja që bëjnë korçarët: Tirana luajti për nderin e vet apo e kishin paguar rivalët për t’i bërë keq kampionëve? Pyetja që bëri Tirana pas ndeshjes: ky Jorgji, mos ishte personi i gabuar për t’i besuar ndeshjen me Skënderbeun? Kur ndalojnë këmbët, futbolli që kemi ngritur, nuk do të kishte kuptim nëse do t’a qepte gojën. Por këtë radhë ka një ndryshim, ngaqë dyshimi mund të pagëzohet me bereqet, kur mendon se paraja në Superligë , në mënyrë prepotente, më shpesh na ul mbathjet e nderit, sesa na shtrëngon që të luajmë fortë. Në një kampionat ku busti i mëkatit fiton çdo vit centimetra të reja, një ndeshja si Tirana – Skënderbeu, me gola dhe me besueshmëri, me gabime njerëzore dhe pak ..djallëzore, kemi shumë arsye për ta quajtur barazimin 2-2 si një fitore për shijen kolektive. Edhe nëse nuk e besojmë presidentin Halili kur pyeti, pse u dashkan para të luash kundër kampionëve të Skënderbeut, ajo që na pëlqen të besojmë është se “investimi” për këtë 90 minutësh ka qënë në favor të tifozëve. Kjo ndeshje do të mbahet mënd edhe për një gjest pajtimi, sa më shumë ndizej ndeshja në fushë, aq më shumë shtohej pesha e tifozëve nëpër shkallët e stadiumit.
Në Korçë nuk e quajnë ringjallje, madje shikojnë me bisht të syrit nga Kukësi dhe Partizani, dy rivalët e skenës dhe të prapaskenës, që edhe pse nuk e kursejnë helmin për njëri-tjetrin, bashkojnë dashurinë dhe hipokrizinë vetëm e vetëm për t’i rrëzuar nga froni. Në vend t’i gëzohemi asaj që ndodhi, sidomos golit perlë të Hoxhallarit, një trajektore që kaloi përtej orbitës së Superligës, apo ndeshja që në pjesën e dytë u bë edhe më ngacmuese, pyetja që u provokua në fund dukej anakronike : për kë luajti Tirana? Skënderbeu nuk do ta bënte këtë pyetje me helm, nëse do të kishte futur në xhep 3 pikët, madje sipas stilit të këtyre viteve, kur ata fitojnë as nuk e lodhin kokën për të dëgjuar se ç‘thonë bota. Vetëm 1 pikë u ka marrë Tirana, e cila meritonte më shumë një shtrëngim dore , të paktën sa për sy e faqe meqë kanë triumfuar me vite bashkë me Josën. Madje kanë harruar edhe luhatjen e ëmbël të arbitrit Jorgji, ngaqë duhet ngritur alibia, ku armiku që punon me marifet ka më shumë pamjen e Kukësit se të Partizanit, ngaqë armiqësia me të kuqtë nuk konvertohet me para.
Gezim Sinemati
(Botuar ne Gazeten Panorama Sport)