Kur “mëkatet” e Panuçit fshehin “mëkatet” e Shqipërisë

Vetëm dy nga 14 lojtarë të aktivizuar në ndeshjen ndaj Skocisë, ishin prodhim i sistemit të futbollit të Shqipërisë. Ky fakt i jashtëzakonshëm sot po lihet diku mënjanë, duke iu mëshuar me forcë sulmeve ndaj trajnerit të kombëtares, Kristian Panuçi. Po ashtu, vetëm 4 nga 23 lojtarë gjithsej (formacion plus stol) të ekipit përfaqësues ishin të dalë nga kampionatet shqiptare të moshave, Uzuni, Lila, Lilaj, Balaj!

Vetvetiu lind pyetja: Për çfarë ekziston futbolli në Shqipëri? Për çfarë shpenzohen aq shumë financa familjesh, aq shumë nerva e lodhje prindërore dhe për çfarë përjetohen aq shumë ëndrra fëminore, që duan të bëhen si yjet e futbollit botëror?

Përgjigja është e thjeshtë: Për asgjë, për (thuajse) zero kënaqësi dhe përfitim! Atëherë përse ekziston një sistem i tillë, i përbërë nga klube e shoqata, nga president e drejtorë dhe nga trajnerë të çdo niveli?

Përse shpenzohen rroga të larta, në një futboll që nuk prodhon as të ardhura dhe as futbollistë? Natyrisht, çdo shqiptar me logjikë normale, e kupton se ku qëndron përfitimi i këtyre presidentëve që janë quajtur “shpëtimi i futbollit”, por që nuk na japin dot futbollistë për kombëtaren, madje nuk ia sigurojnë as vetes, që t’i transferojnë në Europë dhe të përfitojnë para nga shitja e kartonit të tyre.

Përse ekziston Federata Shqiptare e Futbollit, kur ajo fare mirë mund të ishte thjesht një zyrë imigracioni, për të gjetur talente në Europë e për t’i sjellë këtu tek ne?

Pyetje të tilla ka plot, por për momentin duket se po “mbytemi në një lugë me ujë”, duke bërë thjesht pyetje të tilla se “përse Duka e mori Panuçin”, dhe duke bërë pohime si “Panuçi, largohu!”

Sfidanti.al