Një pyetje jo fort e këndshme: të marrësh 3 gola duke guxuar të luash futboll, apo të pësosh 2 gola duke u murosur para portës? Ky ishte fati i dy ekipeve përfaqësuese, Kosovës dhe Shqipërsië në ndeshjet e fundit. Ekipi kosovar, pas shuplakës me 6 gola në ndeshjen me Kroacinë, ndryshoi thelbin e lojës me Ukrainën, pa mundur ta përcillte në rezultat. Shqipëria përballë Spanjës, ishte aq e trembur, sa dukej sikur kishte ndërruar dhe shenjën simbolike, shqiponjën me ..lepurin. Për fat,ndofta edhe për mëshirë, kemi pësuar vetëm 2 gola, në një ndeshje që të kujton ngujimin futbollistik, ku 11 vetë u rraskapitën për të vendosur autobuzin para portës, siç predikonte edhe trajneri De Biazi.
Ajo që ndodhi, ishte përtej një metafore me parkim. Në Shkodër.. u shfaq fantazma e Shqipërisë së Europianit, e fiksuar deri në izolim para portës së Berishës, sa mund të thuhet se “pushtimin e fushës”, para se ta arrinin iberikët, e kishim përgatitur ne. Pse gjithë kjo frikë e mbledhur për këtë ndeshje ? Kemi luajtur me të mëdhenjtë, por nuk jemi tkurruar kaq shumë. Trajneri De Biazi nuk na ndihmon të zbulojmë të vërtetën e kësaj drame, të cilën e filloi në këmbë, kurse në pjesën e dytë, u tërhoq në stol sa humbi edhe lidhjen me njerëzit e fushës. Për hir të së vërtetës, Spanja mund të na kishte dëmtuar edhe më keq, por u mjaftuan me dy gola, që fshehin një të vërtetë alarmante: asnjë gjuajtje në portë, asnjë korne, asnjë kombinacion mbresëlënës. Pale, kur dëgjon futbollistët tanë që “festojnë” humbjen me 2 gola, se në mendjen e tyre kishin patur një ..goleadë . Paska qënë për t’u marrë më seriozisht, batuta para ndeshjes: “ Kujdes, mos pësojmë me 6 gola si Kosova!”