Nuk na ndahet gënjeshtra edhe kur në Tiranë, tamam-tamam mu në tokën e zaptuar nga Dinamo prej FSHF-së, vjen numri 1 i botës së futbollit, shefi i FIFA-s, Infantino. Po të besoje trumbetat që dolën nga zyrat e FSHF-së, të duket sikur data në kalendar na ka mbetur ..1 prill ! Thanë me bujë se Infantino ka ardhur posaçërisht për ne, për të inaguruar “Shtëpinë e futbollit”. Pra, për mega-zyrat , atje ku kurdiset ora e prishur e futbollit tonë.
Të vërtetën e zbuloi vetë Infantino, kur pas nesh, ia mbathi në Kosovë, dhe më pas në Maqedoni. Një udhëtim i shpejtë në botën e liluputëve të futbollit, ku inagurimet kamuflohen si sebepe, por që kur flitet për vota ..ia vlen të marrë rrugën edhe vetë mbreti!
Sido që të ketë ndodhur në Prishtinë dhe në Shkup, Infantino kur ishte në Tiranë, u befasua me lojën plot batuta të Ramës me Dukën. Madje në një moment, Xhani Infantino u zu ngushtë, me gjuhën tonë mund të thuhet se iu duk vetja si ata që gjuajnë çifte, kur kapi presidentin Duka duke fshirë xhaketën e kryeministrit Rama .. me “dorën e djallit”. Në atë moment, dikush nga patronazhistët tanë , që punoka për FIFA-n , i kishte spiunuar Infantinos: “ Në Shqipëri, nëse i fshin xhaketën shefit të madh të politikës, të konvertohet në bursen e pushtetit edhe me 4 vite të tjera”.
Sfidanti.al