Po të pyesësh tifozët se cili nga lojtarët në fushë është Idriz Batha, më të shumtit të tregojnë me gisht nga mesfushori voluminoz, formati i të cilit spikat më shumë nga muskujt, më shumë se çdo gjë tjetër. Nëse do të pyesësh portierët e Superligës, Batha, sidomos kur shfaqet para portës, nuk ka muskuj më shumë sesa inteligjencë. Disa gola të tij janë shpallur “hit” në këtë sezon , si trajektorja e çmendur në Shkodër ndaj Vllaznisë dhe goditja vrasëse me Skënderbeun, si një gol kampion në portën kampione. Një gol, për të cilin u kujdes edhe Zoti që të mbetej i pacënuar deri në fund të ndeshjes, si për t’i falur më shumë kujtesë, edhe pse Skënderbeu nuk meritonte të dilte duarbosh atë mbrëmje. Thonë se kur të braktisin “perënditë”, dhe arbitrat nuk të falin më dashuri, madje edhe fati të kthen kurrizin . Dikush mund të thotë se i ka patur me bollëk gjithë këto vite Skënderbeu dhe paska ardhur momenti i Kukësit dhe Partizanit. Dy ekipe që kanë bërë një rrugë diametralisht të kundërt, për t’u ngjitur deri në majë. Kukësi , për të pretenduar titullin, i ka rënë nga Europa, titullin moral e fitoi në mërgim, ndërsa Partizani erdhi nga poshtë, nga “ferri” kur luante i pashpresë, pa e ditur aspak se shenja e Demit në horoskop do lexohej në favor të tyre.
Në luftën për titull, loja e presidentit i ngjan edhe shahut , siç thonë, lojë e modës së lartë, por, le të kthehemi tek Batha, futbollisti që edhe kur në fushë nuk ka bërë shpikjen e tij, siç ndodhi në ndeshjen e fundit me Luftëtarin, me fjalë e dërgon topin, përsëri në trekëndëshin e portës: “ Përse u tërhoqëm në pjesën e dytë me Luftëtarin? Mendoj se u kursyem të ruanim energjitë!” Një finte në mikrofon për mesfushorin , që nuk ndalet qëllimisht tek fakti i pafavoshëm se “gjirokatritët” e pjesës së dytë, kursimatarët e njohur historikisht, nuk ishin miqtë, por, çuditërisht shokët e tij të ekipit. Nuk ka dyshim nëse gjërat do të vareshin nga Idrizi dhe jo nga Starova në stol, pjese e dytë do të kishte qënë më shumë aventurë, sidomos kur ke përballë një kundërshtar bamirës në hapësirë që sulmon pa teklif edhe pse me 10 vetë. Duket si një provokim i hapur për “Bobin e kuq” , që De Biazin nuk e fal kur në pjesën e dytë zbythet në portën kuqezi, kurse veten e fal sipas stilit makiavelist se “ nuk ka rëndësi çfarë ngjyre ka macja, mjafton ta kapë miun”. Dhe Partizani i tij nuk mund të qortohet se ka dhënë prova se fitoren e shijon në mënyra të ndryshme. Herë vë zemrën në fushë dhe fiton me nokaut, herë do të mbash dorën në zemër si me korçarët…
Gëzim Sinemati
(Botuar ne gazeten Panorama Sport)