Bajerni në alarm përpara Realit, Humels nuk do të jetë!

Kur vjen e keqja, hapi derën. Nuk deshi ta shikonte as nga vrima e çelsit, Karlo Ançeloti, por fati shpesh tregohet më i fortë edhe se strategët më të mëdhenj. Bajerni nuk do ta ketë mbrojtësin më të mirë, Mats Humels, për duelin e drithshëm ndaj Realit në “Alianc Arena”. Kampioni i botës, ardhur nga Dortmundi, u dëmtua në stërvitje pasi mori një goditje në gju, dhe nuk u kthye më aty. Alarmi është i plotë jo vetëm sepse Humels mund të mos luajë të mërkurën, por edhe sepse mund të ketë mbyllur gjithë sezonin.

Ançeloti shpreson të mos ketë “shaka të marra” nga dy lojtarë të tjerë tepër të rëndësishëm. Portieri Manuel Nojer nuk është stërvitur, ndonëse mendohet që ai do të jetë gati kundër Realit. Po ashtu, Robert Levandovski që mori goditje në shpatull. Mediat gjermane janë optimiste për të. Si do ta zëvendësojë, ndërkaq Ançeloti, Humelsin? Pritet që në qendër të mbrojtjes të jetë Zherom Boateng në krah të Havi Martinezit, ndonëse kampioni tjetër i botës me Gjermaninë ka vetëm 3 ndeshje që luan pas dëmtimit.

Sfidanti.al