Futbolli fizik është vetë thelbi i futbollit anglez, por ndodh që masa tejkalohet edhe atje. Kjo u ndodhi dy prej konkurruesve të ashpër në duelin e egër Everton-Leister, me lojë tipike ishullore. Mbrojtësi i Leisterit, Robert Huth, përdori gjithë fizikun e tij gjigand për t’ia marrë topin futbollistit vendas, Kevin Mirajas, i cili nuk deshi të hapte rrugë. Nga lufta për top, u kalua në luftë trup me trup, ku Mirajas u tregua shumë i guximshëm.
Futbollisti i ardhur nga Belgjika e kapi nga fanela mbrojtësin e fortë gjerman dhe i afroi grushtin në fytyrë. Edhe pse 10 centimetra më i shkurtër dhe peshë mjaft më e lehtë se Huthi, atij nuk iu tremb syri. E vërteta është se lojtari i Leisterit nuk u trondit aspak, thjesht nuk deshi të bënte veprimet e Mirajasit, por i qendroi pranë, një kokë mbi të, duke e parë ngultas në sy.
Futbolli, natyrisht, nuk është si lufta pasi ka rregulla dhe Huth e Mirajas nuk u lanë gjatë “në intimitet”. Shokët e të dyja skuadrave ndërhynë dhe po ashtu gjyqtari që u dha futbollistëve nga një karton të verdhë për trimërinë e treguar, në vendin e gabuar.
Sfidanti.al