Është gjithnjë e më larg Realit të Madridit. Të gjitha lajmet nga kryeqyteti i Spanjës janë për një Kristiano Ronaldo në largim, dhe asnjë shkronjë për vazhdimin e tij në “Bernabeu”. Gjithsesi, destinacioni më i mundshëm i momentit jepet Juventusi.
Më herët u fol për Paris SG, për Mançester Junajtidin apo ndonjë klub tjetër të madh anglez, por edhe për Kinën e Japoninë. Gjithsesi, gjasat janë që pikërisht italianët “e nënvleftësuar” të dalin të fituar për të marrë Topin e Artë në fuqi.
Përse besohet se Torino do të ishte destinacioni më i mirë për CR7-ën? Së pari sepse është gati t’i japë 30 milionë euro në sezon, 5 milionë euro më shumë sesa ishte oferta më e mirë dhe e fundit e presidentit Florentino Perez. Së dyti, sepse Juventus do të thotë shans për Championsin. Në 2015 e 2017, “Zonja e Vjetër” arriti deri në finale, duke humbur fillimisht me Barcelonën e MSN-së dhe pastaj me Realin e Ronaldos.
Klauzola e Kristianos është vërtet 1 miliardë euro, por gazeta “Marka” njofton se një ndryshim ndodhi në janar të këtij viti, kur trajneri (ish) Zidan kërkoi më shumë respekt për lojtarët e tij. Kjo do të thotë se Ronaldo mund të largohet për 100 milionë euro, dhe Juventusi është gati ta paguajë këtë shifër. Së fundi, Reali dhe presidenti Perez kurrë nuk kanë mbajtur një lojtar kundër vullnetit të tij, sidomos kur ky është rekordmeni i golave të klubit, Kristiano Ronaldo.
Sfidanti.al