Quhet Muhamet Hyseni dhe është sulmuesi më i ri i Kosovës, i cili katapultohet nga kampionati vendas drejt e në ekipin përfaqësues. Sigurisht që në raste të tilla, kënaqësia është më e madhe për të gjithë, jo sepse ai është më shqiptar se të tjerët në skuadër, por sepse ka mbërritur te Kosova falë sakrificave të një komuniteti të tërë dhe jo si pasojë e vullnetit e talentit personal. Ashtu si shumë të tjerë që gjatë viteve të fundit janë rritur në futbollin vendas e më pas janë transferuar te “dardanët”, edhe Hyseni është një shembull i pastër se si një kampionat mund të ndihmojë ekipin përfaqësues me lojtarë interesantë.
Sulmuesi i Llapit me shumë mundësi, pas golit të shënuar në Zvicër, do të vihet në qëndër të vëmendjes së merkatos dhe lajmi i madh këtu është se Kategoria Superiore e Kosovës, ndryshe nga ajo e Shqipërisë, prodhon lojtarë interesantë e për këtë shembull nuk është vetëm Hyseni pasi Rrahmani, Krasniqi apo Korenica e shumë të tjerë sot janë lojtarë të suksesshëm në skuadrat e tyre, por edhe talente që premtojnë shumë me fanellën e Kosovës.
Matanë kufirit, këtej nga anët tona, të gjithë ne krenohemi me Kombëtaren e Madhe që si rrallëherë ka përjashtuar çdo opsion nga Superiorja dhe me siguri jo për faj të Sylvinho-s. Në këtë rast, trajneri brazilian e ka hedhur grepin e madje aty ka vendosur ushqimin më të shijshëm të mundshëm për të tërhequr “peshqit” por të tillë nuk ka dhe në këtë rast është faji i njerëzve që “peshqit” e Superiores i kanë trembur me tritol. Kjo është edhe diferenca mes dy kulturave të ndryshme futbollistike pasi matanë kufirit gjithmonë e më shumë mendojnë si ta rrisin vetë nivelin e skuadrës përfaqësuese me idenë që “hambari” europian një ditë do të mbarojë, ndërsa në tokën e Shqipërisë zyrtare, FSHF shpreson që emigrantët e brezit të parë apo të dytë të vazhdojnë të këndojnë në shtëpi këngën e Shkurte Fejzës për të mbajtur të ndezur zjarrin e shqiptarisë tek fëmijët e tyre.
Pirro Bardhyli