Hungaria dhe Serbia kualifikohen në Euro 2024

Hungaria siguroi këtë të dielë një vend në Europianin Gjermani 2024, ndërsa bindi me rezultatin 3-1 ndaj Malit të Zi, me këta të fundit që eliminohen në fazën e grupeve. Sfida foli më shumë për hungarezët, ndonëse ishin miqtë ata që gjetën të parët rrugën drejt rrjetës, duke shënuar në minutën e 36’ me Rubezic dhe duke e mbyllur pjesën e parë në avantazh. Megjithatë në minutën e 66’ Szoboszlai realizoi golin e barazimit për Hungarinë, teksa vetëm dy minuta më pas po ai shënoi golin e dytë për vendasit,  duke përmbysur rezultatin. Sfida u vulos në minutën e 90+3’ me Nagy që shënoi golin e tretë për Hungarinë. Pas ndeshjes së fundit, Hungaria kryeson Grupin G me 18 pikë, teksa Mali i Zi renditet në vend të tretë me 11 pikë. Ndërkohë Serbisë i mjaftoi barazimi 2-2 ndaj Bullgarisë për t’u kualifikuar për në EURO 2024.

Serbët zhbllokuan sfidën në minutën e 17’ me Veljkovic dhe mbajtën avantazhin deri në minutën e 59’ kur Rusev shënoi për Bullgarinë. Në minutën e 69’ Despodov kaloi miqtë në avantazh, megjithatë Babic u dha serbëve barazimin në minutën e 82’. Pas këtij barazimi Serbia kualifikohet në Europian, si vendi i dytë i Grupit G me 14 pikë, teksa Bullgaria renditet në vend të fundit me katër pikë.

sfidanti.al