-Pika e bardhë e penalltisë, është shpallur vendi ideal i krimit. Kemi parë të dhurohen penallti infantile, nderkohë, mbyllen sytë para një faulli fatal, aq sa kërcitja e këmbes është dëgjuar deri në shkallët e stadiumit. Shefat e tyre në zyra, ata që e dinë fort mirë pse bateritë e telekomandës nuk po punojnë, shfaqen si të pafuqishëm-
Fraza e zyrtarit të arbitrave, Sokol Jareci “ Arbitrat nuk marrin para, por dorën nuk e vë në zjarr”, ka bërë xhiron e nderit dhe ka përmirësuar ndjeshëm humorin e presidentëve. Historitë e e tyre me arbitrat, e dërgojnë në zjarr dorën e Jarecit. Sidomos, kur flitet për një ish-arbitër, i cili e di fort mirë se deri ku shkon flirti financiar midis presidentëve dhe arbitrave. Presidentët e sotëm, të lodhur dhe të rraskapitur ekonomikisht, edhe për meritë të “xhaketave të zeza”, kanë thumbuar me humor, deklaratën e fundit të zyrtarit të Federatës: “ Sikur të kishte edhe futbolli zjarrin e tij, sa duar do të ishin djegur deri tani”. Ajo që ka ndodhur në 5 javët e para, ishte si kambanë për të kuptuar se taktika bie poshtë me një të vërshellyer. Përtej humorit, ka një moral, prej të cilit futbolli duhet të frikësohet: arbitrat, ende pa ngrohur motorët, shpërthejnë me gabime! 5 javë dhe 5 emra të dënuar : Jemini, Meta , Koçi, Beqiri dhe Sadiku! Nga 10 arbitra që janë në qarkullim, gjysma e tyre janë futur në “burgun” pa afat. Jo Jareci, por as Kastrati, edhe Zoti nuk mund të bëjë avokatin mbrojtes për ta.. Për ata, që e kanë nisur kampionatin sikur t’i kishte marrë uria për të bërë mëkate që paguhen. Pyetja që bëjnë të gjithë, sidomos viktimat e deritanishme, përmblidhet: po gabojnë me kokën e tyre, apo me kokën e atyre, që i fryjnë nga larg bilbilit?
Vitet e fundit, nuk mbahet mend, një fillim sezoni kaq imponues, ku protagonistët të kenë më shumë frikë nga gjyqtari, sesa nga pala kundërshtare. Ata që u merakosën, sapo u pagëzuan “bomberat” e fshehur të kampionatit, duket sikur nuk kanë më frikë të gabojnë. Pika e bardhë e penalltisë, është shpallur vendi ideal i krimit. Kemi parë të dhurohen penallti infantile, nderkohë, të mbyllen sytë para një faulli fatal, sa kërcitja e këmbes është dëgjuar deri në shkallët e stadiumit. Shefat e tyre në zyra, ata që e dinë fort mirë pse bateritë e telekomandës nuk po punojnë, janë shfaqur të shqetësuar në media. Sikur komandantit nuk po i binden ushtarët. Nuk mbrohen dot as me antiplumbin “gabime njerëzore”, as me justifikimin se “bilbilat e nisën këngën e tyre më shpejt se zakonisht”. Po lektorët e huaj, ata që vijnë shpesh, mos vallë i japin ushqim të prishur.. çunave me të zeza? Sikur të guxojmë, të paktën këtë herë, ti spiunojmë angelzit Benet, se çfarë ka ndodhur këto javë, me siguri do të shprehej: arbitrat tuaj nuk janë aq budallenj, sa duken me veprimet e tyre. Pale sikur të marrë vesh, se kur duam, si në ndeshjen derbi, tortën e lojës e ndamë aq bukur, sa kupton përse ndodhin prapësitë të ndeshjet e tjera.
Gëzim Sinemati